Kryetari i arrestuar i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, e konsideroi fyerjen më të rëndë të jetës së tij publike vendimin për shkarkimin e tij nga detyra prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë. Këtë qëndrim ai e shprehu gjatë seancën në Gjykatën Kushtetuese, ku Veliaj ka kundërshtuar vendimin për shkarkimin e tij nga detyra.
Veliaj u propozua për shkarkim nga Këshilli Bashkiak në 23 shtator 2025 për shkak të mungesës 3 mujore në detyrë. Propozimi u miratua dy ditë më pas, në 25 Shtator, nga Këshilli i Ministrave, nën drejtimin e kryeministrit Edi Rama.
Veliaj u tregua ironik, kur deklaroi para trupës gjykuese se për shkarkimin e tij janë marrë 8 vendime brenda 8 orëve, përfshirë propozimin e këshillit bashkiak, vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij dhe dekretin e presidentit për shpalljen e zgjedhjeve në Tiranë.
“Pashë një efiçensë shembullore për përgatitjen e këtyre vendimeve, të cilën nuk e kisha parë asnjëherë gjatë ushtrimit të tre mandateve në krye të Bashkisë së Tiranës”, deklaroi ai.
Veliaj u shfaq për herë të parë në publik 8 muaj pas arrestimit të tij, në Shkurt 2025, i akuzuar nga Prokuroria e Posaçme për veprat penale të “korrupsionit” dhe “pastrimit të parave”. Ai hyri në ambjentet e Kushtetueses me pranga në duar, i shoqëruar nga toga e Drejtorisë së Burgjeve, e cila ishte e pranishme edhe në sallën e gjyqit.
Veliaj u paraqit para trupës gjyqësore me letra në duar, ndryshe nga kasetat e gatshme që shpërndante për median gjatë kohës që ishte në zyrën e kryebashkiakut.
Relatorja e çështjes, Sonila Bejtja, duke theksuar parimin e prezumimit të pafajësisë, e pyeti Veliajn dhe avokatët e tij nëse kryetari i Bashkisë mund t’i ushtrojë funksionet gjatë periudhës së izolimit.
Veliaj deklaroi se ai nuk ka pasur mundësi të ushtrojë detyrën publike për shkak të asaj që e konsideroi si masë jo-proporcionale së arrestit.
I pyetur nga trupa gjykuese se çfarë ndikimi mund të kishte prania e tij fizike në Mbledhjen e Këshillit Bashkiak, ku u vendos shkarkimi i tij, Veliaj deklaroi: “Ndoshta do t'ju kujtoja dhe faktin që nesër mund të jenë ata viktimë e kësaj padrejtësie. Nesër dikush, ju jap vetëm një shembull, prej punës që kam pasur kryetari i bashkisë së Medelinit, u rrëmbye nga një organizatë terroriste, FARC”.
Relatorja, si edhe anëtarët e trupës gjykuese, kërkuan qëndrimin e paditësit Veliaj nëse ai mungon në detyrë me arsye apo pa arsye. Kryebashkiaku i arrestuar deklaroi se nuk ka munguar asnjëherë pa arsye.
Pyetja është thelbësore për çështjen që po shqyrtohet në Gjykatën Kushtetuese. Veliaj është shkarkuar mbi bazën e nenin 62, pika c e ligjit për “Qeverisjen Vendore”. Ky nen parashikon shkarkimin nga detyra për shkak të mungesës mbi 3-mujore në detyrë, por pa përcaktuar nëse kjo mungesë është e arsyeshme apo me vullnet të zyrtarit vendor.
Seanca në Gjykatën Kushtetuese filloi në orën 10 të paradites së sotme dhe vijoi deri pasdite. Në seancë, përfaqësuesit e Presidentit dhe Këshillit të Ministrave këmbëngulën se Gjykata Kushtetuese nuk ishte kompetente dhe se shkarkimi i Veliajt është në përputhje me ligjin. Gjykata Kushtetuese ka afat 30 ditë për të dhënë vendimin.
© SYRI.net