Pas një mungese të gjatë në skenën publike, ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, u rikthye sot përballë Gjykatës Kushtetuese me një fjalim 13-minutësh, ku kërkoi të mbrojë qëndrimin se shkarkimi i tij nga detyra ishte i padrejtë.
Ai argumentoi se i njëjti shtet që e largoi pa respektuar prezumimin e pafajësisë, po e ndëshkon sërish sepse nuk paraqitet në zyrë.
Por përtej aspektit juridik, vëmendjen më të madhe e mori mesazhi politik i fjalës së Veliajt. Në një ton të përmbajtur, por të mbushur me nënkuptime, ai shfaqi qartë ndjesinë e tradhtisë, intrigës dhe pabesisë nga strukturat e Partisë Socialiste, si edhe vetë nga Edi Rama, të cilët i krahasoi me organizatën terroriste kolumbiane FARK.
Sigurisht Erion Veliajt nuk i ka ikur frika nga Edi Rama, pasi është i vetëdijshme për pushtetin që ka ish-bossi i tij në duar, por megjithatë nuk mungoi që akuzat ndaj tij mos mbeteshin nënkuptime të pakuptueshme, ishte e qartë çdo akuzë të asociohej me emrin e Ramës.
Pika kulmore e tensionit u shënua gjatë debatit me përfaqësuesin e Kryeministrisë, kur Veliaj e akuzoi për standarde të dyfishta. Ai ngriti pyetjen pse nuk ishte kërkuar shkarkimi i kryetarit të Tropojës, Byberi, i cili gjithashtu mungon prej muajsh në detyrë, duke nënvizuar se drejtësia po përdorej selektivisht dhe se “një njeri i vetëm” ishte vënë në shënjestër.
Në vazhdim të fjalimit të tij, Veliaj e paraqiti veten si viktimë të “etjës për karrierë” dhe “manovrave politike”, duke theksuar se ndodhet përballë një “sprove të demokracisë”. Ai i kërkoi trupës gjykuese të “mbrojë bashkë me të demokracinë që po vihet në rrezik”, një mesazh që shumëkush e lexoi si kritikë të tërthortë ndaj mënyrës se si po ushqehet pushteti aktual. Gjëra të cilat deri para 7 muajsh, Lali Eri i mendonte krejtësisht ndryshe, madje mburrte publikisht Ramën dhe kolegët e drejtësisë.
Më tej, Veliaj u shpreh se ndëshkimi më i rëndë për të nuk ishte burgosja apo shkarkimi, por “tradhtia e bashkëpunëtorëve të afërt”, të cilët – sipas tij – iu bindën pa asnjë reflektim urdhrave të partisë. “Ishte plagë e rëndë sepse erdhi nga ata që më njohin më mirë se kushdo tjetër”, tha ai, duke shtuar me tone emocionale: “Zoti i faltë! Nuk dinë çfarë kanë bërë.”
Në tërësi, fjalimi i Erion Veliajt u nda mes frikës, servilizmit, vetëviktimizimit dhe kërcënimit të fshehur për Ramën dhe organizatën e tij politike të dikurshme.
Ishte një përpjekje për të ndërtuar imazhin e një politikani të përjashtuar nga etja për pushtet, intriga, tradhëtia, dhe të cilit po i bihet në qafë, gjë të cilën Erion Veliaj nuk e ka bërë kurrë për kolegët e tij që e kanë përsuar si ai në të shkuarën.
Me gjithë çfarë guxoi të thotë dhe çfarë u mundua të fshehë, Erion Veliaj tregoi se sot armiku i tij personal është Edi Rama dhe nxori zbukuar se si funksionon Rilindja nën drejtimin e Edi Ramës…
© SYRI.net