Gazetari Bledian Koka, i ftuar me lidhje telefonike në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV, komentoi zhvillimet e fundit që lidhen me çështjen gjyqësore të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj.
Koka u shpreh se procesi ndaj Veliajt ka më shumë karakter politik sesa juridik, duke theksuar se “fati i tij nuk përcaktohet nga drejtësia, por nga Edi Rama”.
“Mendoj që ajo që po ndodh sot ka shumë pak të bëjë me sistemin e drejtësisë, me logjikën dhe me të drejtën. Fati i Veliajt është fat politik, ashtu siç erdhi si dhuratë nga Edi Rama, po ashtu po i hiqet nga vetë Rama,” - u shpreh Koka.
Sipas tij, edhe pezullimi i përkohshëm i vendimit ndaj Veliajt është vetëm pjesë e një pazari politik.
“Veliaj e di shumë mirë që kjo nuk është çështje e Gjykatës Kushtetuese apo e SPAK-ut, por një çështje pazari politik që ai nuk po di ta menaxhojë,” - tha gazetari.
Koka komentoi gjithashtu rolin e mediave në këtë çështje, duke theksuar ndarjen e tyre në “media të Veliajt” dhe “media të Ramës”. Ai kritikoi ashpër presionet publike ndaj anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe klimën e tensionuar mediatike.
“Ishte një histeri, një çmenduri totale, ku vetëm për drejtësi nuk mund të flitet. Po shohim një degradim të sistemit mediatik, të drejtësisë dhe të prokurorisë,” - shtoi ai.
Në përfundim, Koka tha se vendimet e institucioneve nuk po merren më mbi bazën e ligjit, por sipas interesave politike.
“Fatin e Veliajt, fatkeqësisht, nuk e përcakton më drejtësia, por Edi Rama, përmes gjyqit publik që tashmë është bërë institucioni i vetëm funksional 100%,”- përfundoi gazetari.
Koka:
Shiko, mendoj që ka kohë që gjëja, gjëja e sotme ka pak të bëjë me sistemin e drejtësisë, me, me, me logjikën, me të drejtën, me të kushtetueshmen. Këtu është, këtu fati i Veliajt është fat politik, ashtu siç e ndërtoi, si fat politik, si një fat që erdhi dhuratë dhe iu shtrua nga Edi Rama, po ashtu dhe po i hiqet nga Edi Rama.
Prandaj është, domethënë unë po i, ose pres shumë pak si me thënë që, që të ndryshojë diçka nga, nga fati i tij sot, nga, nga kërkesa e tij. Ju bë një pezullim i përkohshëm i asaj gjëje, por që mendoj që zoti Veliaj, si me thënë, e di fare mirë që kjo nuk është çështje e gjykatës kushtetuese, nuk është çështje e SPAK-ut, është çështje thjesht e një pazari politik, të cilin ai nuk di si ta menaxhojë dot këtë betejë.
Kështu që është realisht unë bëj pak shumë, bëj pak vështirë, domethënë shikoja atë betejën e djeshme, besoj dhe Adriana e ka parë, shikoja këto mediat që janë, se janë ndarë ca media, ca janë të Veliajt, ca janë të Ramës, ca janë të të dyve. Shikoja këto gjysëmsulmet që i bëheshin anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese me presione, janë dhe ca portale që gjasme janë me SPAK-un këto, domethënë, që tregonin merrnin nëpër gojë gjykatën kushtetuese, anëtarët, ky do bëjë këtë, ky do bëjë atë. Domethënë ishte një histeri, një çmenduri totale, ku këtu vetëm për drejtësi nuk mund të flasësh, pra të flasësh të marrësh një fakt, ta shqetosh dhe të thuash, ore ky akti që u mor për shembull nga Këshilli Bashkiak ose nga Këshilli i Ministrave, është akt antikushtetues.
Tani shiko çfarë ndodh, për shembull Gjykata Kushtetuese me çfarë kam parë edhe në në në në tërësi, paska dy precedente. Një precedent që është ai po themi, i Zef Hilës në 2019-ën, është dhe një precedent tjetër që ë që pak a shumë ka ka të njëjtën ngjashmëri me me rastin e zotit Veliaj. Dhe tani hajde merre vesh ti se cilin nga precedentët do të vendosi të zbatojë Gjykata Kushtetuese në raport me me zotin Veliaj.
Pra realisht ne, ajo që po shohim, po shohim thjesht një degradim të këtij sistemi, sistem mediatik, sistemin e drejtësisë, sistemin e prokurorisë po të doni, dhe e vetmja gjë që bëhet është beteja personale që bëhet me këto mekanizma. Futen të gjithë, të gjithë duan të kapin çfarë të munden dhe prandaj unë si me thënë nuk është se, nuk është se pres ndonjë gjë, unë mendoj që fatin e zotit Veliaj fatkeqësisht, tani po përtej si me thënë emocioneve personale, po fati i një njeriu këtu nuk e përcakton më as drejtësia, por e përcakton zoti Rama përmes asaj që tashmë është ndërtuar dhe është kthyer në institucionin e vetëm funksional 100%, që është, që është gjyqi publik.
© SYRI.net