Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 23 e protestës qytetare: Rama jepe dorëheqjen

Xhixho: Reforma në drejtësi është kthyer në armë politike të Ramës, drejtësia shqiptare në kolaps total!

Xhixho: Reforma në drejtësi është kthyer në armë politike të Ramës, drejtësia shqiptare në kolaps total!

17:43, 30/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gjatë seancës plenare ditën e sotme, deputetja e Partisë së Lirisë, znj. Erisa Xhixho, ka ngritur një akuzë të fortë ndaj mënyrës se si është zbatuar reforma në drejtësi, duke e cilësuar atë si “dështimin më të madh institucional të dekadës”.

Në fjalën e saj para Kuvendit, Xhixho theksoi se drejtësia shqiptare ndodhet sot në kolaps të plotë, me qytetarët që kanë humbur çdo besim tek sistemi, proceset që zgjasin me vite dhe me një hartë gjyqësore që, sipas saj, “i ka mbyllur dyert e drejtësisë për mijëra shqiptarë”.

Deputetja kërkoi një ndërhyrje urgjente dhe një rishikim të plotë të reformës me asistencën e institucioneve ndërkombëtare, duke theksuar se “reforma e premtuar për drejtësi të pavarur u kthye në instrument politik në duart e qeverisë”.

Deklarata e Plotë:

Në këto seanca për analizën e funksionimit të sistemit të drejtësisë ka disa pyetje që duhet të marrin përgjigje:

- ka apo nuk ka probleme sistemi ynë i drejtësisë?
- ka krijuar vështirësi për sistemin apo jo reforma në drejtësi?
- janë shkurtuar apo janë zgjatur afatet e proceseve gjyqësore?
- është rritur apo është ngushtuar aksesi i qytetarëve dhe mbi të gjitha, është rritur apo është përkeqësuar besimi i publikut te drejtësia?

Ka një të vërtetë të madhe që të gjithë e dimë: Shqiptarët e kanë humbur besimin, sepse drejtësia nuk funksionon. Sot mbi 90 për qind e qytetarëve nuk marrin dot shërbim nga gjykatat.
 
Kemi përpara prova të qarta se reforma e ndërmarrë jo vetëm që nuk e bëri më funksionale drejtësinë, por e paralizoi atë dhe dobësoi sistemin në tërësi. Harta e re gjyqësore ishte një dështim i paralajmëruar. Kam qenë në këtë sallë kur kam kundërshtuar me forcë këtë hartë gjyqësore, të cilën e ka kundërshtuar Dhoma e Avokatëve, Komiteti i Helsinkit, por nuk e dëgjuat dhe me forcën e kartonit kaluat një hartë që rrënoi përfundimisht sistemin. Mbyllja e 6 gjykatave të Apelit në rrethe e bëri akoma më të vështirë për qytetarët aksesin në drejtësi, ndërkohë që rriti kostot për të gjithë qytetarët që detyrohen t’i drejtohen Gjykatës së Apelit vetëm në Tiranë. 
 
Sot, janë mbi 49 mijë dosje në Apel  kjo gjykatë sot është pa infrastrukturë, pa siguri dhe me mungesë të thellë gjyqtarësh nga 78 gjyqtarë që ka organika, ka efektivë vetëm 31 gjyqtarë. Rezultati? Qytetarët udhëtojnë qindra kilometra për të kërkuar drejtësi dhe përballen me vonesa të pafundme, me kosto të shtuara dhe me sfilitje dyerve të drejtësisë me vite.
 
Tronditja e sistemit nuk është thjesht statistikë, por edhe tragjedi. Ngjarja e rëndë e aktit terrorist në sallën e Gjykatës së Apelit në Tiranë është tjetër tregues i kolapsit të sistemit, mungesës së sigurisë në institucionet e drejtësisë, atje ku supozohet se duhet të jesh më i sigurt se kudo tjetër. Ky akt i paprecedent është sulm direkt ndaj shtetit të së drejtës dhe dëshmi e dështimit të sistemit.
Por problemet janë edhe më thelbësore dhe me ndikim afatgjatë në jetën e mijëra qytetarëve që kërkojnë të drejtën e tyre në institucionet që duhet t’ua japin atë. 
 
Çdo qytetar shtron disa pyetje sot;
Po hartën gjyqësore kush e propozoi?
A nuk e bëri KLGJ?
A nuk e shohin se në çfarë kolapsi e kanë futur sistemin?
Thua të jenë kaq të verbër? Apo bëjnë sikur nuk e kuptojnë se çfarë gabimi kanë bërë sepse nuk e kanë idenë se çfarë ndodh me sistemin që vetë kanë krijuar?
Sa gjyqtarë dhe prokurorë ka hetuar ILD dhe sa prej propozimeve të tij janë miratuar nga KLP dhe KLGj?

Më lejoni t’u sjell disa të dhëna se sa gjyqtar kemi per 100 mije banore:
 Shqipëria ka vetëm 9.8 gjyqtarë për çdo 100 mijë banorë, ndërkohë që:
Kosova ka 24.1, Maqedonia - 22.3, Bosnje-Hercegovina - 29, Mali i Zi - 42,  Serbia - 39, dhe mesatarja europiane është 21.9. 
Shqipëria është në fund të listës në Europë dhe në rajon. Ky është turpi i një sistemi që u premtua si reformë, por u kthye në pengesë për drejtësinë.
 
Sot, nëpër gjykata, kemi mbi 200 mijë dosje që presin të shqyrtohen nga vetëm 267 gjyqtarë. Një proces gjyqësor mund të zgjasë nga 12 deri në 16 vjet, ndërsa para kësaj reforme mbaronte për rreth 4 vjet. Ky është shkatërrim institucional, që e ka shndërruar drejtësinë në një vuajtje pa fund për qytetarët. 
Nga vetë raportimet e drejtuesve te institucioneve të drejtësisë është pranuar që vetëm për zbardhjen e vendimeve gjyqësore duhen 1200 ditë , pra mbi 3 vite, kjo zvarritje u heq të drejtën qytetarëve për të ankimuar vendimin dhe për të vijuar procesin.
78% e çështjeve janë jashtë afatit të arsyeshëm ligjor.
Ndërkohë, janë me qindra pensionistë dhe qytetarë që kanë ndërruar jetë në pritje të fjalës së fundit të drejtësisë.
Në sistemin e vuajtjes së dënimit kemi më shumë se 2/3 të personave që janë në burg, që ndodhen në paraburgim edhe pse prezumohen të pafajshëm, 4 herë më shumë se mesatarja e BE.
 
Pra, reforma në drejtësi ka dështuar në qëllimin e saj kryesor: drejtësi brenda një afati të arsyeshëm, drejtësi cilësore dhe të shpejtë për qytetarët. 
 
Dëmi financiar është po aq dramatik: Në 9 vitet e fundit, Shqipëria ka paguar 39 milionë euro në Gjykatën e Strasburgut për shkak të zvarritjeve, moszbatimit të vendimeve dhe shkeljeve të të drejtave të njeriut. Dhe pas çdo shifre ka vite të tëra pritje, shpenzime e sorollatje nëpër institucione, por mbi të gjitha humbje të besimit te drejtësia.
World Justice Project si organizata më e rëndësishme ndërkombëtare në sundimin e ligjit, Projekti për Drejtësinë Botërore.
Kufizimet në pushtetin e qeverisë
Viti 2015- Vendi 52
Viti 2025- Vendi 105
Korrupsioni (SPAK) dështim i institucionit.
Viti 2015- Vendi 78
Viti 2025- Vendi 105
Qeverisja e hapur
Viti 2015- Vendi 53
Viti 2025- Vendi 78
Akoma më e rëndë është situata me çështjet civile dhe penale
Drejtësia civile
Viti 2015- Vendi 55
Viti 2025- Vendi 99
Drejtësia penale
Viti 2015- Vendi 46
Viti 2025- Vendi 82
Përkeqësim 100 %
 
Kjo nuk është drejtësi, por padrejtësi e institucionalizuar. 
 
Kjo nuk është reformë, por deformim i shtetit të së drejtës. Janë qytetarët shqiptarë ata që duhej të ishin përfituesit direktë të reformës në drejtësi. Përsa kohë, drejtësia e re nuk përmirëson jetën e tyre, ajo është e dështuar.
E këtë nuk e thotë vetëm opozita apo drejtues të institucioneve të drejtësisë që me kurajën profesionale dëshmuan këtë realitet, por gjatë këtyre raportimeve kuptuam që edhe maxhoranca apo ata që drejtuan gjithë reformën në drejtësi e pranuan në seancën e kaluar.
Fatmir Xhafaj dhe Ulsi Manja, të dy edhe ish ministra të drejtësisë, të dy edhe ish aktorë kryesorë të hartimit dhe miratimit të reformës në drejtësi.
Nëse z. Xhafa ngre alarmin e thotë se jemi në një situatë të papranueshme me masat e arrestit me burg që i tejkalojnë me disafish standardet e vendeve të BE-së apo flet për nevojën emergjente të rregullimit të proporcionalitetit të masave , z. Manja thotë se sistemi i drejtësisë vuan nga mungesa e efikasitetit, e efektivitetit dhe e disiplinës në punë, apo se kemi zvarritje në gjykim dhe në zbardhjen e vendimeve , çfarë duhet thënë më shumë që të kuptojmë se praktikisht që drejtësia është në kolaps total. 
Ne e kemi paralajmëruar që në fillim zbatimin e gabuar te reformës në drejtësi, reforma në drejtësi që u miratua me 140 vota parashikonte që Prokurorja e Përgjithshme të miratohej me 2/3 e votave të Kuvendit, por reforma e drejtuar nga Rama e miratoi në këtë Parlament me 69 vota me tym e flakë.
 PSE? Është e qartë tashmë sepse ajo duhet të emëronte në sistem anëtarët e KLP dhe më pas anëtarët e SPAK. Pra nuk ishte faji i 140 votave që ndryshuan Kushtetutën, por i shkeljes flagrante të Kushtetutës, që pasoi me betimet e gjyqtarëve te Lana, e kapjen e drejtësisë me sistemin e vetingut me standardet e dyfishta e deri te përdorimi i drejtësisë si armë kundër kundërshtarëve politikë. Ky është dëmi më i madh që iu bë sistemit të drejtësisë dhe shtetit të së drejtës.
U fol për ndikimin politik të sistemit, por më lejoni të shtroj pyetjen: ku janë anëtarët e vetingut sot?
Dy janë në Gjykate Kushtetuese, 1 është deputet i Partisë Socialiste, 1 është këshilltar pranë Kuvendit dhe të tjerët po aplikojnë për të qenë pjesë e institucioneve të pavarura të drejtësisë.
Faktet dëshmojnë qartë si maxhoranca kapi drejtësinë, edhe pse, kur u hartua kjo reformë, u paralajmërua nga Komisioni i Venecias që krijimi i një strukture me kaq institucione të reja, rrezikon të kapet nga qeveria në pushtet.
Fatkeqësisht sot jemi dëshmitarë të kësaj katastrofe.
Reforma në drejtësi duhet ishte një reformë që i shërbente qytetarit dhe jo pushtetit.

Ndaj kërkohet një ndërhyrje emergjente me asistencën edhe të Komisionit të Venecias ose dhe çdo institucioni të besueshëm për të bërë një skaner të plotë të situatës ku ndodhet sistemi i drejtësisë tashmë që po bën 10 vite dhe masat urgjente që duhet të merren për ta kthyer atë në shinat kushtetuese dhe ligjore, për t’u shërbyer qytetarëve, për të marrë drejtësinë cilësore, të shpejtë dhe me integritet që meritojnë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco