Kryebashkiaku në largim i New York-ut, Eric Adams, zhvilloi një vizitë private disa ditore në Shqipëri, ku u takua dhe dha një deklaratë me kryeministrin Edi Rama. Ndërsa mediat amerikane ngritin pikëpyetje për arsyet dhe shpenzimet e udhëtimit, kryeministri Edi Rama mohoi që qeveria shqiptare të ketë paguar për vizitën private të kryebashkiakut të New York-ut, megjithëse ai u pa duke lëvizur me helikopterët e forcave të armatosura.
Nga SYRI TV
Eric Adams, kryebashkiaku i New York-ut, zhvilloi një vizitë disa ditore në Shqipëri, ku u takua dhe më pas doli në një deklaratë për shtyp me kryeministrin Edi Rama. Edhe pse ndodhet në javët e fundit të mandatit të tij si kryebashkiak dhe në prag të largimit nga detyra, Rama e paraqiti këtë vizitë private si një mundësi për forcimin e bashkëpunimit në fusha si turizmi dhe investimet e huaja.
Ndërkohë që Eric Adams erdhi në Shqipëri për një vizitë private, mediat në Shtetet e Bashkuara kanë ngritur pikëpyetje lidhur me arsyet e këtij udhëtimi dhe shpenzimet e tij. The New York Times, duke iu referuar kësaj vizite, e lidhi emrin e Edi Ramës me çështjen McGonigal dhe akuzat për korrupsion ndaj ish-zyrtarit të lartë të FBI-së nga qeveria shqiptare.
Zëdhënësja e tij, Kayla Mamelak Altus, i tha gazetës The New York Times se shpenzimet e akomodimit dhe transportit tokësor do të mbuloheshin nga qeveria shqiptare, ndërsa taksapaguesit e New York-ut do të paguanin pjesën tjetër të udhëtimit, duke përfshirë udhëtimin me avion të kryebashkiakut dhe shoqërueseve të tij në udhëtim. Sipas Altus, dhoma e akomodimit të Adams në Shqipëri kushton rreth 200 dollarë në natë dhe transporti tokësor rreth 90 dollarë në ditë.
Në një tjetër artikull, media amerikane 'Gothamist' ka ngritur pyetje mbi faktin nëse zyrtarët amerikanë mund të pranojnë sponsorizime nga qeveri të huaja, duke e vënë kështu vizitën në qendër të një debati për etikën dhe transparencën.
Ndërsa mijëra kilometra larg, në Shqipëri, pyetjet mbi koston dhe mënyrën e financimit të këtij udhëtimi vazhdojnë. Eric Adams u pyet nga Syri TV nëse qeveria shqiptare kishte mbuluar shpenzimet e vizitës, por përgjigjen e dha vetë Edi Rama, i cili e mohoi një gjë të tillë.
Ky moment u hoq nga transmetimi në faqen zyrtare të kryeministrit shqiptar, duke vënë në pikëpyetje transparencën mbi debatin që është ngritur për financimin e vizitës. Megjithatë, ndërkohë që mediat amerikane raportojnë për shpenzime ditore prej 90 dollarësh, Adams është parë të udhëtojë drejt Vlorës me një helikopter të ushtrisë shqiptare.
Mbetet ende për t’u sqaruar nëse kostoja e përdorimit të helikopterit të forcave të armatosura është mbuluar nga zyra e kryebashkiakut të New York-ut, apo nëse Edi Rama nuk tha të vërtetën kur mohoi sponsorizimin e vizitës së Adams nga taksapaguesit shqiptarë.
© SYRI.net