SYRI TV
Konferenca e Kryetarëve nuk ka futur në rend dite kërkesën e PD për interpelancë me Kryeministrin Rama për lidhjet me krimin si dhe ka rrëzuar kërkesën për komision hetimor për gjetjet e OLAF për abuzimet me fondet e IPARD. Kjo ka sjellë reagimin e ashpër të kreut të Grupit Parlamentar të PD, Gazmend Bardhi që u shpreh se mes përfituesve të fondeve të IPARD është edhe babai i trafikantit të drogës Suel çela. Ndërkohë sa i takon kërkesave të socialistëve për komisionet e reformës zgjedhore e territoriale, Konferenca e Kryetarëve u dakordësua për t’i shtyrë në javën e ardhshme.
Debatet ishin kryefjalë e mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve që u mbajt këtë të mërkurrë, pasi Partisë Demokratike nuk i përfshin në rendin ditës kërkesën për interpelancë me Kryeministrin Rama për lidhjet me krimin dhe pastrimin e parave.
Nga ana tjetër Konferenca e Kryetarëve rrëzoi edhe kërkesën e Partisë Demokratike për ngritjen e një komisioni të posaçëm për hetimin e gjetjeve të OLAF lidhur me fondet nga programi IPARD.
Kreu I grupit parlamentar i PD, Gazmend Bardhi akuzoi mazhorancën se ka shkelur në mënyrë flagrante Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit dhe se po refuzojnë debatin pasi ka përfituar babai i Suel Çelës ka përfituar 150 mijë euro nga fondet e Ipard.
“Unë e kuptoj që ju nuk doni debat. Jeni këtu për të miratuar ligje që shkruhen në kompjuterin e Klodian Zotos, në tavolinën e Edmond Begos, apo për të miratuar ligje që u japin prona Suel Çelës. Pretenduat se nuk keni raportet e OLAF-it. Ato janë zyrtare dhe të publikuara në faqen publike të internetit. Por ju, z. Balla, jeni i zënë me çështje të tjera.Ju nuk doni debat, sepse ka përfituar babai i Suel Çelës, babai i një personi që është shpallur kreu i një organizate kriminale. Ai ka marrë 150 mijë euro, prandaj nuk doni ju debat”
Ndërkohë sa i takon kërkesës së socialistëve për komisionet e reformës zgjedhore e parlamentare, Konferenca e Kryetarëve u dakordësua për t’i shtyrë në javën e ardhshme.
Debate në mbledhje ka pasur edhe për nderimin e figurës së diktatorit Enver Hoxha nga kryeparlamentari Niko Peleshi. Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, tha se maxhoranca duhet të mbajë përgjegjësi morale për futjen e figurës së Enver Hoxhës në analet e Kuvendit të Shqipërisë.
Gjerkmarkaj u kujtoi maxhorancës se ishin trashëgimtarë diktaturës së Enverit dhe se në grupin e tyre parlamentar ka ende hetues të komunizmit.
Ndërkohë kreu i grupit parlamentar të PL, Tedi Blushi kërkoi në Konferencën e Kryetarëve, që në seancën e nesërme në Kuvend të ketë debat për gjendjen alarmante të sigurisë në vend, nisur nga ngjarja e rëndë e ekzekutimit të gjykatësit Astrit Kalaja në sallën e gjyqit. Lidhur me këtë ngjarje, Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste,
Taulant Balla ka kërkuar që në seancë plenare të mbahet në mënyrë solemne 1 minutë heshtje në nder të gjykatësit Astrit Kalaja ndërsa Opozita kërkon ne Konferencën e Kryetarëve qe institucionet shtetërore të nisin proceduat dhe të shpallin Dëshmor të Atdheut gjyqtarin e ndjerë, Astrit Kalaja.
© SYRI.net