Lajmi i fundit

LIVE/ Dita e 20-të e protestës qytetare, kërkohet dorëheqja e Edi Ramës

Vrasja e gjyqtarit, deputetja e PD: Ministrja e Brendshme duhet të ishte dorëhequr, sistemi i sigurisë ka dështuar

Vrasja e gjyqtarit, deputetja e PD: Ministrja e Brendshme duhet të ishte dorëhequr, sistemi i sigurisë ka dështuar

15:03, 08/10/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Deputetja e Partisë Demokratike, Elda Hoti, e cilësoi një kambanë alarmi dhe një dështim të sigurisë në vend vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja teksa jepte vendimin në Gjykatën e Apelit më 6 tetor.

Ligjvënësja e zgjedhur në qarkun Lezhë, tha se pas ngjarjes duhet të ishte dorëhequr menjëherë ministrja e Brendshme Albana Koçiu, e cila nuk mori përgjegjësi për sigurinë e Gjykatave, ndërkohë që KLGJ zbuloi dokumentacionet e dërguara ku kërkonte disa herë rritjen e masave nga Policia e Shtetit.

“I vetmi shtet ku nuk mbahet përgjegjësi. Ministrja e Brendshme duhet të kishte dhënë dorëheqjen pas ngjarjes. Vrasja e gjyqtarit është një kambanë alarmi për çdo qytetar shqiptar. KLGJ e kishte thënë prej dy vitesh, kishte dërguar dhe shkresa për rritjen e sigurisë në gjykata. Masat nuk u morën dhe përgjegjëse është qeveria dhe institucionet shtetërore. Sistemi i sigurisë është i dështuar dhe kjo u pa edhe në rastin e vrasjes së Martin Canit, që tregoi se edhe siguria e shkollave kishte dështuar”, tha Hoti për News 24.

Ajo akuzoi edhe kryeministrin Edi Rama si përgjegjës për situatën e krijuar, sigurinë dhe rendin e dështuar, nivelin e korrupsionit dhe kapjen e pushteteve në vend.

“Edi Rama i vjedh zgjedhjet, i grabit dhe nuk i fiton ato. Edhe raporti i DASH e tregoi se ekonomia është e kapur nga krimi dhe investitorët e huaj largohen dhe nuk ndjejnë siguri”, tha deputetja.

Hoti foli edhe për rrëzimin e kërkesës nga mazhoranca të ngritjes së Komisionit të Posaçëm për vjedhjen e fondeve të IPARD-it, duke shtuar se Rama nuk do që të dalë e vërteta.

“Korrupsioni në institucionet shqiptare po shkatërrojnë fermerin shqiptar, blegtorinë dhe bujqësinë, për të mbajtur klientët e tij. Ndaj edhe kërkesa jonë për Komisionin e Posaçëm Parlamentar për fondet e IPARD të BE-së të grabitura, u rrëzua nga mazhoranca, se Rama nuk do që të zbardhet e vërteta. Dihet se Rama nuk do debat, siç na hodhi poshtë edhe mocionin për debat për programin e qeverisë, e rrëzoi për 10 minuta”, komentoi ligjvënësja demokrate.

Hoti kritikoi edhe Presidentin për dekretin antikushtetues të zgjedhjeve të pjesshme të Tiranës më 9 nëntor, duke thënë se kryeministri e përdori kreun e shtetit.

“Raportet tregojnë se nuk kemi institucione të pavarura dhe të mendosh se jemi afër integrimit në BE. Kemi një kryeministër që cenon kushtetutën dhe përdor e imponon presidentin e Republikës për dekretimin e zgjedhjeve në Tiranë, në kundërshtim me Kushtetutën dhe duke mos pritur vendimin e Kushtetueses. Rama është një autokrat që ka kapur të gjitha pushtetet”, tha ajo.

Në fund Hoti theksoi se beteja brenda dhe jashtë parlamentit nga opozita do të vijojë, pavarësisht sjelljes së mazhorancës.

Ndërsa përzgjedhjen e figurës së aktorit Florian Binaj si kandidat të opozitës për zgjedhjet e pjesshëm të Tiranës e cilësoi të goditur dhe që do marrë mbështetje të madhe qytetare.

Hoti akuzoi edhe kryeparlamentarin Niko Peleshi si për shkelje të rregullores gjatë seancave, ashtu edhe për pastrimin e figurës së ish-diktatorit Enver Hoxha, me nismën e fundit parlamentare të ndërmarrë.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco