Ish-deputeti i PD, Lefter Gështenja u ka bërë thirrje qytetarëve të Tiranës, të dalin në mbështetje të kandidatit Florian Binaj, në përballjen e këtij të fundit me rivalen e mazhorancës, Ogerta Manastirliu në zgjedhjet e pjesshme vendore që do të mbahet më 9 nëntor për Bashkinë e Tiranës.
Përmes një statusi në platformën sociale, Facebook, Gështenja, thotë se qytetarët e Tiranës kanë një mundësi të rrallë në dorë, të zgjedhin mes dy modeleve: atij të qytetarit të ndershëm, apo modelit të korruptuar që përfaqëson politikën e vjetër.
‘Mbështetja e tyre për një kandidat të pavarur si Florjan Binaj, është një hap i rëndësishëm drejt bashkimit të opozitës dhe ndryshimit’, shkruan ish ligjvënësi demokrat, Lefter Gështenja.
Statusi
Më 9 Nëntor, qytetarët e Tiranës kanë një mundësi të rrallë në dorë, të zgjedhin mes dy modeleve:
1- modelit të qytetarit të ndershëm
apo
2-modelit të korruptuar që përfaqëson politikën e vjetër.
Unë jam i bindur që qytetarët do të zgjedhin Florjan Binajn – një djalë i ri, orator i zoti, artist, arkitekt, aktivist, familjar, dhe mbi të gjitha një zë i fuqishëm në mbrojtje të të drejtave të qytetarëve dhe vlerave të familjes.
Ai nuk është kandidati i partive, por i qytetarëve. Ai është një mundësi reale për t’ia kthyer Bashkinë e Tiranës njerëzve të zakonshëm, atyre që sot ndihen të përjashtuar nga vendimmarrja dhe të harruar nga pushteti.
Sot, më shumë se kurrë, politika shqiptare ka nevojë më shumë se kurrë për këtë model, një model ndryshe – një drejtues në shërbim të qytetarëve dhe jo të qeveritarëve.
Ka ardhur koha të lëmë pas arrogancën, talljen me publikun dhe keqmenaxhimin e qëllimshëm.
Gjithashtu, shpreh vlerësimin dhe respektin tim për të gjithë drejtuesit e partive opozitare që treguan maturi dhe largpamësi, duke vendosur interesin qytetar mbi interesin e ngushtë partiak.
Mbështetja e tyre për një kandidat të pavarur si Florjan Binaj është një hap i rëndësishëm drejt bashkimit të opozitës dhe ndryshimit.
Ftoj çdo qytetar të Tiranës, veçanërisht bashkëqytetarët e mi të Njësisë 7, të japim kontributin dhe mbështetjen maksimale për këtë kandidaturë.
Jo për interes, por për dinjitet.
Jo për pushtet, por për shërbim.
© SYRI.net