Gazetari Enton Abilekaj, i ftuar në emisionin 'Çim Peka Live' në Syri TV, teksa foli për sjelljen politike të kryeministrit Edi Rama ndaj institucioneve të drejtësisë dhe Gjykatës Kushtetuese, tha se Rama sillet si një pushtetar paranojak që nuk lejon askënd të vërë në pikëpyetje autoritetin e tij.
Sipas Abilekajt, Rama ka frikë edhe nga mundësia teorike që Gjykata Kushtetuese t’i rrëzojë ndonjë vendim, sepse një precedent i tillë do të inkurajonte të tjerë ta sfidojnë. “Ai nuk i njeh të drejtën asnjë institucioni për të vënë në diskutim autoritetin e tij,” – theksoi Abilekaj, duke shtuar se justifikimet juridike që përdoren për të mbrojtur këtë sjellje autoritare janë qesharake dhe pa lidhje me ligjin.
Ai u shpreh se Rama ka kthyer në zakon të “lëpijë atë që ka pështyrë”, një sjellje që e bën shpesh dhe pa asnjë ndjesi përgjegjësie politike.
Pjesë nga deklarata:
Imagjinoni një paranojak. Rama, si një pushtetar i plotfuqishëm, ka të njëjtën paranojë si çdo pushtetar që ka përqendruar të gjithë pushtetin. Mendon: “Po sikur, në një moment të caktuar, Gjykata Kushtetuese të më hedhë poshtë vendimin?” Edhe pse duket se nuk ka asnjë mundësi, ai nuk mund ta presë këtë. Sepse nëse dikush guxon të vërë në pikëpyetje autoritetin e tij si kryeministër, atëherë nesër del dikush tjetër… dhe loja nis.
Ai nuk ia njeh të drejtën asnjë institucioni për të vënë në diskutim autoritetin e tij. Argumentet juridike që japin për ta mbrojtur janë qesharake, nuk kanë asnjë lidhje me të drejtën.
Problemi është se Rama e ka kthyer në zakon – apo ndoshta në hobi – të lëpijë atë që ka pështyrë. Dhe këtë e bën shpesh.
© SYRI.net