Deputeti i Partisë Demokratike, Edi Paloka, në intervistën e mesditës në Syri TV, me moderatore Armela Ferko komentoi raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, duke e cilësuar atë si një 'dokument krudo', që tregon qartë realitetin që opozita denoncon prej vitesh.
Paloka nënvizoi se ndryshe nga raportet e tjera, ky dokument nuk flet më me gjuhë diplomatike ose fraza inkurajuese, por evidenton një ekonomi të kapur nga krimi, narko-trafiku dhe korrupsioni qeveritar, institucione të drejta të kapura nga korrupsioni, dhe largimin masiv të qytetarëve nga vendi.
Ai akuzoi qeverinë Rama dhe lidhjet e saj me oligarkët, duke theksuar se këto raporte tregojnë se Shqipëria po paguan çmimin e një qeverisjeje të kapur nga interesa klienteliste dhe kriminale, dhe se ky raport është i pastër dhe nuk lë vend për interpretim.
"Ky raport, ndryshe nga raportet e tjera, është krudo, tregon qartë realitetin që ne e njohim edhe e denoncojmë prej vitesh. Një ekonomi e kapur, e mbërthyer me kthetrat e krimit, narko-trafikut edhe korrupsionit qeveritar"- u shpreh Paloka.
Edi Paloka:
"Në fakt, ky raport, i përfshirë edhe në kronikën tuaj, le pak vend për koment edhe për interpretim dhe unë do të thoja se ky është një raport krudo, ndryshe nga raportet e tjera.
Pse e them këtë? Shpesh, u përmend edhe në kronikë, e dihet se edhe raportet e tjera kanë vënë në dukje problemet që ka qeveria Rama, i kanë quajtur qeverinë më të korruptuar, çështjet e krimit të organizuar dhe trafikut janë përmendur edhe në të tjera raporte, edhe të Departamentit të Shtetit.
Por çfarë ndodh? Gjithmonë lihet një ton për inkurajim ose për çështje diplomatike, futet një frazë inkurajuese aty dhe kjo frazë merret nga qeveria, propagandohet, e lihen menjëherë të tjerat.
Ky raport, ndryshe nga raportet e tjera, është krudo, tregon qartë realitetin që ne e njohim edhe e denoncojmë prej vitesh. Një ekonomi e kapur, e mbërthyer me kthetrat e krimit, narko-trafikut edhe korrupsionit qeveritar.
Institucionet, përfshirë drejtësinë, të kapura nga korrupsioni; një popull që largohet nga vendi është një pikë tjetër që raporti e thekson, një fakt i njohur prej kohësh, i denoncuar dhe shumë i rëndë për Shqipërinë.
Më bën përshtypje vajtja e Begajt që shkoj e kërkoi punëtor atij bangladeshit. Ky akt më i rëndë e më antishqiptar s’kemi parë dhe sigurisht ky është shërbëtor i Ramës, e fatkeqësia në këtë vend është se të gjitha këto figura politike janë kukulla në duart e kukullës që e komandohet nga Soros.
Raporti përmend PP dhe ligjin për investimet strategjike, dhe këtë e dimë të gjithë se janë përdorur për të dhënë paratë tona, ku shqiptarët paguajnë taksa për të kaluar lidhjet e qeverisë, oligarkëve të cilët dihet se kanë lidhje direkte me kupolën e qeverisë, tek Edi Rama.
Aruba thotë thjesht një nga provat e fundit të kësaj që unë po them dhe që raporti e vë në dukje.
Duhet ta kuptojmë se ky është raporti i parë që bën kjo administratë, pavarësisht se edhe raporti tjetër vinte re disa pika të forta, por duhet theksuar se ka qenë përgatitur nga kjo administratë e kaluar dhe jo nga kjo aktualja.
Ky është raporti i pari i përgatitur nga kjo administratë, është i pastër dhe nuk lë vend për interpretim".
© SYRI.net