Afera më shumë se 33 milionë euro e dosjes “5D” të drejtorëve të Bashkisë së Tiranës, duket se do të ketë të njëjtin fat si ai inceneratorit të Tiranës. Dy vjet pas kallëzimit penal në SPAK, Dosja “5D” është ndarë në së paku katër fraksione deri më tani.
Në 28 maj të këtij viti, Gjykata e Posaçme dënoi katër nga të pandehurit e aferës së Drejtorëve të Erion Veliajt, Deborah Keçi, Teuta Guri, Jetjon Mera dhe Renaldo Gjerazi.
Për të katërt, Gjykata dënimet me burg i konvertoi në shërbim prove, duke bërë që asnjë prej të pandehurve të mos përfundonte në qeli, ndërsa dënimin do ta vuajnë në formën e shërbimit komunitar. Dënimet për fraksionin e dytë u dhanë në muajin qershor të këtij viti, ku GJKKO dënoi me 8 muaj heqje lirie Eglantina Zere, ish-drejtoreshë e Tirana Parking dhe disa zyrtarë të tjerë.
Në gjykim vijon në GJKKO për fraksionin e tretë, aty ku përfshihen direkt Mariglen Qato dhe Redi Molla, ish-drejtorët që dyshohet se janë pronarët faktik të dosjes “5D” si dhe Taulant Tusha, që dyshohet se si drejtor i shërbimeve publike në bashkinë e Tiranës, ka favorizuar me tendera kompaninë e kolegëve të tij. Mirëpo, SPAK ka bërë të ditur se është dhe një fraksion i katërt i kësaj dosjeje.
Bëhet fjalë për titullarin e autoritetit kontraktor, bashkia Tiranë, që ka firmosur së paku 13 tendera për drejtorët “5D”. Parimisht, titullari i autoritetit kontraktor është kryetari i bashkisë, pra në këtë rast supozohet se ka qenë Erion Veliaj.
Por në SPAK është thirrur për të dëshmuar dhe Arbian Mazniku, i cili gjithashtu dyshohet se si nënkryetar i bashkisë së Tiranë, mund të ketë firmosur tendera për “5D” në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor. Mazniku pritet të thirret përsëri në dyert e drejtësisë për dosjen “5d”, pasi do të dëshmoi në një nga seancat e ardhshme në GJKKO. Ndërsa tre fraksionet e parë të dosjes janë në rrugën e gjykimit, i katërti, që duket se është ai më i rëndësishmi, mbetet ende pa autor.
© SYRI.net