Dorajet Imeri, pedagog universitar dhe njohës i çështjeve ndërkombëtare, nga studioja e “Kafe Shqeto” këtë mëngjes ka dhënë një analizë të detajuar mbi zhvillimet e fundit politike dhe diplomatike në rajon.
Ai është ndalur te pasojat që ka sjellë mungesa e një linje të përbashkët mes Kosovës dhe Shqipërisë në politikën e jashtme, duke theksuar se kjo qasje e gabuar po i jep avantazh Serbisë dhe po e vendos Kosovën në një pozitë të vështirë përballë Bashkimit Europian.
Sipas Dr. Imerit, vendosja e sanksioneve nga BE ndaj Kosovës, ndërkohë që Serbia kalon pa asnjë penalizim pavarësisht provave të shumta për shkelje të rënda, është tregues i qartë se diplomacia kosovare nuk është menaxhuar si duhet.
Ai ka kujtuar gjithashtu se vendimet e gabuara politike, si mbështetja e Shqipërisë për nismën “Open Balkan”, kanë treguar mungesë vizioni dhe kanë lënë Kosovën të ekspozuar në momente kritike.
"Ajo që ka ndodhur me “Open Balkan” është shembulli më klasik se si Shqipëria nuk e ka lexuar si duhet pozicionin e saj, pozicionin e Kosovës, duke na vendosur neve në një pikë sikur nuk jemi të gatshëm"- tha ndër të tjera Imeri.
Deklarata e tij:
"Shikoj që nuk ka lëvizje reale, ose më saktë nuk po duken rezultatet, por të kujt? Të politikës së jashtme, të lobistëve, dhe ka qenë interesante që Kosova i ka shkëputur kontratat me lobuesit për me i ruajtur të parët, dhe për këtë arsye ky avantazh që kemi ne sot, që pa diskutim është më i mirë se para dy vitesh, duhet të ishte arsyeja kryesore pse duhet të shkonim më tutje.
Megjithatë, sot kemi ardhur në pikën ku BE ka vendosur sanksione ndaj Kosovës me arsyetimin që nuk është menaxhuar si duhet, dhe nga ana tjetër asnjë sanksion nuk ka Serbia, e cila ka dëshmi e fakte, fotografi, video, e kalon sikur s’ka asgjë.
Është interesante diçka e përmendur në mbajtjen e një Konference në Kroaci, ku kryeministri tha: “Ne Europa e kaluam ngjarjen sikur të mos ishte, e Serbia e kaloi rrethanën pa një therje në këmbë, dhe kur e sheh këtë i bie sikur ka kaluar nëpër të, sepse Europa me gjasë nuk është e gatshme të merret me një konflikt, por mjaftohet me një paqe të brendshme e mbi të gjitha të menaxhueshme.”
Për ne kjo nuk është ajo që kërkojmë, pasi jemi në proces bërjeje dhe e kemi mbyllur çështjen e njohjes, dhe sikur presioni ka filluar të bëhet tek ne.
Ne nuk kemi arritur ta menaxhojmë si duhet çështjen e veriut të vendit, e Serbia në këtë moment që flasim (siç u dëshmua edhe dje në seancë e OKB-së) ku Vuçiç tha “Kosova është Serbi.”
Ne ende nuk po organizohemi si duhet, sikur nuk jemi në linjën e përbashkët sa i përket politikës së jashtme.
Kosova dhe Shqipëria nuk kanë politikë të jashtme të sinkronizuar. Shqipëria është shtet i pavarur e sovran, por duhet të kuptojë se nëse do të sillet si shtet që e mbart çështjen kombëtare, sikurse është dhe obligim kushtetues, duhet të kuptojë se pozicioni politik i Kosovës nuk mund të forcohet duke e marrë atë si peng të zhvillimeve të rajonit.
Ajo që ka ndodhur me “Open Balkan” është shembulli më klasik se si Shqipëria nuk e ka lexuar si duhet pozicionin e saj, pozicionin e Kosovës, duke na vendosur neve në një pikë sikur nuk jemi të gatshëm".
© SYRI.net