'Doktoratura të falsifikuara'/ Ish-zëvendësministri i Ramës ngre alarmin: Po cënohet përputhshmëria e kapitujve me BE

'Doktoratura të falsifikuara'/ Ish-zëvendësministri i Ramës ngre alarmin: Po cënohet përputhshmëria e kapitujve me BE

07:31, 25/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Taulant Muka: 

Nuk ka komb dhe të ardhme pa intelektual! Doktoraturat e Gjinushit dhe shokëve të tij në Akademi, si dhe të shumë dekanëve e rektorëve, nuk gjenden online. Sot i dërgova një kërkesë zyrtare Bibliotekës Kombëtare, Ministrisë së Kulturës, Ministrisë së Arsimit dhe Kryeministrit, pasi me mbylljen e aksesit në doktoratura po shkelen dy ligje dhe po cenohet përputhshmëria e kapitujve të shkencës me BE-në.

Letra e dërguar

Drejtuar:z. Piro Misha, Drejtor i Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë dhe Kryetar i Këshillit Kombëtar të Bibliotekave. Sheshi Skënderbej, Tiranë, Shqipëri.z.
Blendi Gonxhja, Ministër i Turizmit, Kulturës dhe SportitZnj.

Mirela Kumbaro Furxhi, Ministri i Arsimit, Rruga e Durrësit 23, Tiranë, Shqipëri.

Për dijeni:Z. Edi Rama, Kryeministër, Bulevardi Dëshmorët e Kombit 7, Tiranë, Shqipëri.

Lënda: Kërkesë për garantimin e aksesit publik në koleksionin e doktoraturave sipas ligjit nr. 8576, datë 3.2.2000 dhe standardeve europiane për qasje të hapur në informacion

I nderuar z. Misha, I nderuar z. Gonxhja, E nderuar znj. Kumbaro Furxhi,

Më 16 shtator 2025, në kuadër të kërkimit tim shkencor prej disa vitesh mbi integritetin akademik dhe shkencor në vendin tonë, u paraqita pranë Bibliotekës Kombëtare për të kërkuar akses në doktoraturat e Kryetarit dhe Anëtarëve të Akademisë së Shkencave, si dhe të rektorëve, dekanëve të universiteteve dhe disa ministrave. Këto doktoratura nuk gjenden online, përfshirë dhe doktoraturën e Ministres së Arimit, sikurse duhet të ishin pas angazhimit të qeverisë për dixhitalizimin dhe publikimin e doktoraturave. Ky angazhim është nxitur gjithashtu nga deklarata e fundit e Kryeministrit të vendit, z. Edi Rama, i cili u shpreh se Shqipëria është kthyer në “atdheun e plagjiaturave” (https://www.panorama.com.al/jemi-atdheu-i-plagjiatures.../). Gjatë komunikimit verbal me përfaqësues të Bibliotekës, u informova se aksesi në doktoratura është i ndaluar.

Ky kufizim bie ndesh me legjislacionin shqiptar në fuqi:- Ligji nr. 8576/2000 “Për bibliotekat”:

•Neni 2 garanton hyrje të lirë në informacion.

• Neni 6 u njeh çdo shtetasi të drejtën për shërbim bibliotekar pa dallim.

• Neni 7 i jep përdoruesve të drejtën të shfrytëzojnë koleksionet e bibliotekës në mjediset e saj.

• Neni 8 përcakton se informacioni bibliotekar ofrohet falas dhe në mënyrë të barabartë për të gjithë.

• Neni 27 ngarkon Bibliotekën Kombëtare të ruajë dhe vërë në shërbim koleksionet kombëtare, përfshirë doktoraturat.

- Ligji nr. 109/2024 “Për kërkimin shkencor, zhvillimin teknologjik dhe inovacionin”:

• Neni 5 përcakton parimin e Shkencës së Hapur, duke detyruar që produktet e kërkimit të financuar me fonde publike të jenë të hapura, të aksesueshme dhe të ripërdorshme.

• Pikat 2–6 të këtij neni specifikojnë se publikimet dhe të dhënat shkencore duhet të jenë të aksesueshme për publikun, infrastruktura e kërkimit duhet të jetë e hapur, dhe këto standarde janë të harmonizuara me Zonën Europiane të Kërkimit.

Në këtë kuptim, ndalimi i aksesit publik në doktoratura përbën shkelje të dyfishtë: të ligjit kombëtar dhe të parimeve të Shkencës së Hapur.

Më tej, ky kufizim bie ndesh me standardet e Bashkimit Europian, ku:

• Direktiva 2019/1024/EC për të dhënat e hapura dhe

• Rekomandimi i Këshillit të BE-së për Qasjen e Hapur në Publikimet Shkencore (2021)kërkojnë garantimin e qasjes falas dhe të barabartë në publikime dhe kërkime shkencore.

Kufizimi aktual përbën pengesë për përmbushjen e angazhimeve të Shqipërisë në kuadër të negociatave të anëtarësimit, veçanërisht në kapitujt mbi shkencën, inovacionin dhe pronën intelektuale.

Kërkoj:

1. Rikthimin e menjëhershëm të aksesit publik në doktoraturat e depozituara pranë Bibliotekës Kombëtare.

2. Një sqarim zyrtar mbi arsyet dhe bazën ligjore të këtij kufizimi.

3. Përfshirjen e këtij shqetësimi në mbledhjen më të afërt të Këshillit Kombëtar të Bibliotekave, organ këshillimor i Ministrisë së Kulturës.

Me respekt, Dr. Taulant Muka, MD, MPH, PhD, PD

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco