Deputeti i Partisë Demokratike, Blendi Himçi, ka zbuluar strategjinë e parë të opozitës në parlament, duke paralajmëruar ngritjen e dy komisioneve Ad-Hoc që do të hetojnë skandalet më të mëdha të qeverisë.
I ftuar në Edicionin ‘Ora 19’ në SYRI TV, Himçi tha se hapi i parë do të jetë ngritja e komisionit për ‘masakrën zgjedhore’ të 11 majit.
Gjatë bisedës me moderatoren Armela Ferko, Himçi tha se, komisioni i dytë do të jetë ai ‘McGonigal’.
‘Dy momentet e para të strategjisë së opozitës në parlament, janë dy komisionet AdHoc që do të ngrihen.
Komisioni i parë është për masakrën zgjedhore që ndodhi në 11 maj, për të cilën ne patëm pritshmëri nga SPAK për ta konstatuar këtë dhe shpreh me keqardhjen më të madhe, moslëvizjen fare të SPAK.
Gjithë shqiptarët besuan tek SPAK, por ku Altin Dumani nuk lëviz as gishtin më të vogël.
Momenti i dytë është komisioni ‘McGonigal’. Është hapi tjetër që do të ngrihet në lidhje me implikimin e Edi Ramës në aferat korruptive që ka marrë me ish-drejtuesin e zyrës së kundërzbilimit të FBI-së në Nju Jork, Charls McGonigal.
Janë dy hapat e parë në këtë Kuvend që do të kërkohen nga ana jonë.
Në aspektin e parlamentarizmit do të ketë dhe instrumente të tjera, si interpelancat e vazhdueshme me ministrat në lidhje me problematikat që do të hasen në vazhdim’, tha ndër të tjera, deputeti Blendi Himçi në SYRI TV.
© SYRI.net