Në një intervistë për edicionin e pasdites në Syri TV, diplomati Agim Nesho komentoi mungesën e kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara në SHBA. Nesho theksoi se Rama, si një figurë që ka personalizuar politikën e jashtme, nuk ia ka lënë rastin të jetë prezent.
Diplomati shtoi se problematikat dhe hetimet rreth çështjes McGonigal, zyrtari i lartë botëror i përfshirë në korrupsion në SHBA, kanë vështirësuar pjesëmarrjen e Ramës. Ai vuri në dukje se këto çështje janë të papranueshme dhe të paimagjinueshme për demokracinë amerikane.
Nesho gjithashtu komentoi lidhjet e Ramës me fonde dhe organizata si Soros, duke theksuar se Shqipëria shërben shpesh si “platformë eksperimenti” për implementimin e agjendave politike globale.
Ai përfundoi se Rama ndodhet në një pozicion të vështirë dhe se sinjalet nga administrata amerikane janë negative, duke u bazuar në raportet paraprake të OSBE-ODIHR.
Nesho:
Në përgjithësi, zoti Rama si njeri që e ka personalizuar politikën e jashtme nuk ia lë radhë për të qenë prezent në Kombet e Bashkuara.
Kjo është një nga tribunat ku vetë zoti Rama kërkon që të shfrytëzojë me një PR për të bërë atë figurën e tij gjithmonë më të dallueshme.
Dua të them që sigurisht ka pasur një problematikë, nga kjo problematikë duket se zoti Rama e ka pasur të vështirë që të vijonte në SHBA, kryesorja është investigimet dhe hapja e tyre për çështjen McGonigal, ku njihet si zyrtari i lartë botëror i cili ka tentuar dhe ka vepruar në korrupsionin e një zyrtari të shtetit amerikan, gjë që është jo vetëm e papranueshme por edhe e paimagjinueshme për një demokraci amerikane, demokracinë më të fuqishme në botë.
Së dyti, zoti Rama gjithmonë është treguar një protagonist në bashkëpunimin me Soros dhe dihet që beteja e luftës së kësaj administrate është pikërisht me funksionimin masonik të kësaj organizate nën emrin e globalizmit, për të parashtuar, frymëzuar dhe implementuar agjendat e politikës së majtë jo vetëm në SHBA por edhe më gjerë në botë ku dallohet Shqipëria si një vend, një platformë eksperimenti, duke filluar që nga drejtësia e përdorur si armë politike kundër opozitës e me radhë.
Dihet që Rama në një farë mënyre është i papranueshëm në ambientet e kësaj administrate sepse po të kishte një sinjal ndryshe sigurisht që do të vinte dhe do tentonte të bënte shfaqen e radhës.
Rama është në një pozicion dëshpërues dhe unë kam përshtypjen se mbi të gjitha dihet se përpara është raporti që pritet i OSBE-ODIHR-it që është negativ, ne kemi parë raportin paraprak të tij e të tjerë.
© SYRI.net