Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë dhe deputet në Kuvend, Tedi Blushi, në një deklaratë për mediat jashtë parlamentit, kritikoi ashpër mënyrën si po drejtohet Parlamenti.
Ai e quajti kryetarin Niko Peleshi ' kryetarë artificial dhe denoncoi manipulimin e procesverbaleve, duke theksuar se po tentohen të miratohen dokumente që nuk pasqyrojnë realitetin dhe mendimet e deputetëve.
Blushi shtoi se ky veprim po dëmton rëndë institucionin e Kuvendit dhe demokracinë në vend, duke e cilësuar situatën si një tallje jo vetëm me Parlamentin, por edhe me qytetarët shqiptarë. Ai theksoi se drejtimi aktual është i papranueshëm dhe antikushtetues, duke kërkuar rikthimin e transparencës dhe respektit ndaj rregullave.
Deklarata:
Dua të denoncoj për të disatën herë thellimin e paligjshmërisë të kryetarit artificial të parlamentit. Unë e kuptoj dëshirën e tij për t'u identifikuar si bashkëshorti virtual i DIELLËS. E qartë që kryetari i Parlamentit defakto është Rama, ndërsa zoti Peleshi është kryetari artificial.
Sot, sikur edhe ju e patë, jo vetëm mua më u hoq fjala në mënyrë të padrejtë, por ndodhi edhe një nga aktet më qesharake, ku deputetët detyrohen të votojnë procesverbalin e një fantazme. Ju e dini që fantazma nuk flet, nuk mendon dhe nuk voton. Ndërkohë, në procesverbalin që është akt zyrtar, për të cilin deputetët ftohen ta votojnë me votë, ishte përfshirë mendimi i një fantazme që nuk ekziston. Pikërisht ky akt tregon se, për fat të keq, ky institucion drejtohet sot nga një kryetar parlamenti inekzistent, i graduar në atë post për merita që të gjithë i dimë. Kryetar parlamenti i denoncuar prej 9 vitesh në SPAK për aferën SilikonMix. Pasi ka helmuar të gjithë shqiptarët, Peleshi po helmon edhe parlamentin dhe sigurisht është caktuar aty si një ushtar i bindur i aferës së inceneratorit, duke vijuar të çertifikojë këtë institucion si një landfill antikushtetues.
Dua të ndaj me ju faktin se kemi të bëjmë me dy Niko Pelesha: një që është i përulur para opozitës në takimet dhe mbledhjet informale, të cilat ne nuk i shmangim për sa kohë respektojmë institucionet, dhe Niko Diella që shohim në çdo seancë që shkel rregulloren dhe kushtetutën.
Dje nuk ndodhi asgjë më shumë se ajo që bëmë publike: fakti se përballë presionit pozitiv të opozitës, për domosdoshmërinë e rikthimit në shinat e parlamentarizmit, u pranua. Sot shohim që i paraqitet deputetëve një procesverbal qesharak, ku detyrohen të miratojnë mendimet e një fantazme. Diella është fantazmë. Nuk do të çuditesha që Rama nesër të sjellë në Parlament qen ose kafshë të tjera, dhe Niko Peleshi t’i paraqesë në procesverbal si mendimet e një deputeti.
Kjo është të tallesh jo vetëm me Kuvendin, por me të gjithë shqiptarët.
© SYRI.net