Gjatë seancës së dytë parlamentare në Kuvendin e Shqipërisë, deputeti i Partisë Demokratike, Arjan Ndoja, reagoi ashpër ndaj mënyrës se si mazhoranca po e trajton funksionimin e Parlamentit dhe mungesën e transparencës në ndryshimet e rregullores.
Ai theksoi se Kuvendi nuk mund të funksionojë si një fasadë, ku deputetët thirren vetëm për të bërë figurë apo për të votuar pa dijeni për aktet që i paraqiten.
Ndoja akuzoi drejtuesit e Kuvendit për shmangie të qëllimshme të opozitës nga procesi dhe për miratim të rregullores së re pa transparencë dhe jashtë çdo standardi kushtetues. Sipas tij, refuzimi për të vënë në dispozicion tekstin e plotë të rregullores së ndryshuar dhe aktet e tjera parlamentare përbën një shkelje të rëndë që paralizon rolin real të deputetëve dhe zhvesh Kuvendin nga funksioni i tij demokratik.
Deklarata:
Neni 1 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë parashikon që Shqipëria është republikë parlamentare dhe Kuvendi është organi më i rëndësishëm kushtetues i këtij vendi. Në seancën e parë na keni sjellë disa akte ndërmjet të cilave është edhe Rregullorja e Kuvendit. Njëkohësisht, pas zgjedhjes suaj si kryetar, janë miratuar edhe disa ndryshime në rregullore. Aktualisht, në seancën e mëparshme unë kam pasur një kërkesë procedurale, që të njihemi me tekstin e ri të Rregullores së Kuvendit, pasi është akti vetëm mbi bazën e të cilit do të bazohen sjelljet tona si deputetë dhe mënyra e veprimit parlamentar.
Së dyti, bazuar në nenin 40/1, pika 1, germa ç të rregullores së mëparshme, më detyron që të informoj zgjedhësit e mi çdo ditë të premte lidhur me veprimtarinë parlamentare. Së pari, kërkesa ime është të kem një kopje të Rregullores, në bazë të së cilës ne kërkojmë kërkesat tona proceduriale, të njihemi me atë që keni ndryshuar ju pa prezencën tonë dhe në kundërshtim me mendimin tim, me Kushtetutën dhe nenin 117, por që nuk patëm mundësi ta shprehim në seancën e kaluar. Së dyti, tekstet e të gjitha akteve që na sjellin përpara do të ishte mirë t’i kishim në dispozicion, sepse ne do të japim një mendim. Ne po studiojmë Rregulloren, nuk vijmë këtu vetëm për t’u paraqitur ose për të kundërshtuar pa përmbajtje. Ky nuk është funksion i Kuvendit.
© SYRI.net