Deputeti i PD, Klevis Balliu, gjatë fjalës së tij tha se qytetarët paguajnë rrogat e deputetëve për të ndjekur debat politik dhe për të dëgjuar idetë që sjell qeveria, por opozita nuk po lejohet të shprehë qëndrimet e saj dhe të marrë pjesë në diskutimin e programit qeverisës.
Ai theksoi se kjo situatë dëmton transparencën parlamentare dhe pengon funksionimin normal të Kuvendit, duke krijuar një precedent shqetësues për debatin demokratik.
Balliu kritikoi mënyrën se si nuk respektohet fjala e deputetëve të rinj sipas nenit 11, pika 2, ku kryetari duhet të përshëndesë fjalën e deputetit të ri.
Ai vuri në dukje se në seancat e mëparshme kjo nuk ka ndodhur, dhe deputetët e rinj nuk janë lejuar të flasin lirshëm.
Klevis Balliu:
"Duke ju referuar edhe asaj që thanë kolegët, pavarësisht ndasive politike që ne kemi sot, qytetarët i paguajnë rrogat tona për të dëgjuar debatin politik që keni dhe si dhe idetë që kemi për programin që sjell qeveria.
Kjo opozitë nuk ka asnjë armë në dorë veç diskutimeve dhe patjetër është në interes të opozitës, të kësaj qeverie, si dhe të qytetarëve që na ndjekin që ky parlament të ketë debat e diskutim, ky do na shpjegojë programin e ne do të themi se çfarë mendojmë lidhur me të, në interes të qytetarëve.
Duke ju referuar edhe sjelljeve të deputetëve në nenin 11, pika 2, kur deputeti i ri merr fjalën, në respekt të tij kryetari duhet të përshëndesë fjalën e deputetit të ri.
Këtu te ne jo vetëm nuk përshëndetet fjala e deputetit të ri, por i ndalohet atij.
Së dyti, meqë keni bërë edhe përshkrime për deputetët e opozitës përmes një procesverbali të pasaktë dhe që ju vetë e dini, ju na shprehni që do merrni fjalën pa shpërfillje, e më pas ja jepni për herë të dytë kreut të grupit parlamentar të PS.
Kryeministri këtu përmendi emra familjarësh dhe nuk u mor asnjë masë; edhe unë mund të flas në atë gjuhë dhe të them se ai vjen nga familje vrasësish, por nuk më lejon etika të them një gjë të tillë.
Prandaj, i nderuar kryetar, do t’ju ftoja ta njihni rregulloren njësoj për të gjithë".
© SYRI.net