Nga Klevis Balliu
Shpesh dëgjojmë analistë që përsërisin: ‘Rama fitoi zgjedhjet, nuk keni çfarë të bëni.’ Por janë po ata që, në vitin 2023, pas masakrës elektorale të zgjedhjeve lokale, mbronin me të njëjtin arsyetim edhe Veliajn. Sot e shohim se ku përfundoi ai.
Prej vitesh kemi denoncuar vjedhjet, abuzimet dhe imoralitetin e Erion Veliajt. Ai u kthye në simbol të dhunës së shtetit ndaj qytetarëve të Unazës, të cilët i mbajti për 420 ditë nën presion e represion me polici, prokurorë dhe gjyqtarë të vënë në shërbim të pushtetit. Ditën kur mafia qeveritare shembi shtëpitë e tyre, Veliaj doli i entuziazmuar përpara publikut, duke i fyer dhe poshtëruar si ‘shpellarë’.
Por Tirana është gjithashtu dëshmitare e masakrave të tij urbane – nga shembja e Teatrit Kombëtar, simbol i kujtesës kulturore, deri te grabitjet e pangopura mbi pasuritë e qytetit. Vetëm këto do të mjaftonin që ai të ishte larguar prej kohësh nga detyra dhe të përgjigjej para drejtësisë. Megjithatë, këshilltarët, analistët, drejtorët dhe pseudo-artistët që i këndonin lavde nuk e panë kurrë këtë si problem – deri në momentin kur urdhri erdhi nga Asambleja e Partisë.
Ishte këmbëngulja e qytetarëve dhe denoncimet e opozitës që nxorën në dritë gjithë llumin e abuzimeve. Dhe pikërisht atëherë, edhe vetë krye-i-korruptuari Rama u detyrua ta flijojë Veliajn – jo sepse pranoi të vërtetën e akuzave tona, por sepse një hetim i plotë mbi to do të përfshinte jo vetëm Veliajn, por edhe vetë Ramën.
Sot, i braktisur nga të gjithë, askush nuk guxon ta mbrojë.
Sepse këta njerëz nuk njohin ligj, nuk njohin Kushtetutë, nuk njohin as atdhe e as familje. Ata njohin vetëm një zot: partinë dhe Edvinin.
Prandaj, fundi i Ramës është i paracaktuar: ai nuk do të jetë aspak ndryshe nga fundi i Veliajt.
© SYRI.net