Fati i Veliaj/ Blushi: Vota për heqjen e tij nga posti është edhe votë për (vet)shkarkimin e këshilltarëve të PS

Fati i Veliaj/ Blushi: Vota për heqjen e tij nga posti është edhe votë për (vet)shkarkimin e këshilltarëve të PS

18:52, 23/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, reagoi pas vendimit të Këshillit Bashkiak të Tiranës për hapjen rrugë të shkarkimit të kryebashkiakut të arrestuar të Tiranës, Erion Veliaj, nga kryeministri Edi Rama.

Në postimin e tij në Facebook, Blushi kritikoi këshilltarët e Partisë Socialiste, duke i konsideruar pjesë të një skeme korruptive që ka degraduar administratën e kryeqytetit.

‘Vota e këshilltarëve të PS për shkarkimin e Erion Veliajt është po ashtu një votë për (vet)shkarkimin e tyre’, shkruan Blushi.

Postimi i plotë:

Vota e këshilltarëve të PS për shkarkimin e Erion Veliajt është po ashtu një votë për (vet)shkarkimin e tyre.

Ata kanë mbështetur me votë dhe legjitimuar çdo aferë korruptive, çdo akt kriminal dhe çdo shkatërrim të qëllimshëm të Tiranës.

Të njëjtët që u ngritën në protesta me thirrjet “Lali Eri, o flori, po të presim në Bashki”, sot e përcollën nga Bashkia si kufomë politike.

Pa votat e tyre korrupsioni dhe krimet e Erion Veliaj do të ishin thuajse akte në tentativë.

Depersonalizimi i tyre është dëshmi e papërgjegjshmërisë në raport me interesin publik dhe taksat, i verbërisë politike dhe mungesës së shtyllës kurrizore dhe integritetit.

Nuk po flas për ata/o amfibë/e të neveritshëm që, me votat e opozitës, u infiltruan në atë Këshill dhe sot fshihnin kokën si strucat pas fundshpinës së këshilltarëve të PS, duke u vetvulosur në ballë me damkën e pështirë të shëmbëlltyrës së degraduar politike.

Ky shkarkim i Erion Veliaj është jo vetëm i domosdoshëm, por edhe shumë i vonuar. Ai duhet të shënojë fillimin e një procesi të thellë drejt llogaridhënies dhe rikthimit të Bashkisë te qytetarët.

Drejtësi për Tiranën!

Drejtësi për inceneratorin!

Drejtësi për Nënë Lizën!

Drejtësi për Ardit Gjoklajn!

Beteja për çlirimin e Tiranës vazhdon!  

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco