Shkarkimi i Veliajt/ Belind Këlliçi: Garanti i këtij modeli në politikën shqiptare është Edi Rama

18:55, 23/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Gjatë diskutimit për shkarkimin e Erion Veliajt nga kryebashkiak i Tiranës në emisionin ‘Task Force’ me Sonila Meçon në SYRI TV, deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, deklaroi se modelin ‘Veliaj’ në politikën shqiptare e mbron Edi Rama.

Duke e fokusuar në betejat e ardhshme të opozitës, Këlliçi bëri thirrje që e gjithë vëmendja të jetë tek Edi Rama dhe ekipi i tij të ngushtë.

‘Garanti i këtij modeli në politikën shqiptare, i pompimit në mënyrë artificiale me paratë e shqiptarëve, me propagandë të blerë në mediat e vendit, sigurisht këtë sistem e garanton Edi Rama. Padiskutim kjo betejë, i gjithë fokusi dhe gjithë energjitë e opozitës do të duhet të shigjetojnë kryeministrin dhe të adresohen vetëm tek kryeministri dhe kuptohet tek ekipi i tij i ngushtë.’

Sipas Këlliçit, modeli i keqpërdorimit të fondeve publike dhe propagandës së blerë nuk ekziston vetëm në Bashkinë e Tiranës, por është i shtrirë në të gjitha nivelet e pushtetit:

‘Është e vërtetë se në bashkinë e Tiranës ne kemi parë modelin ‘5D’, por kemi një ‘5D’ edhe në Ministrinë e Infrastrukturës, ka një ‘5D’ edhe në kryeministri, edhe në bashki të tjera të vendit dhe sot këtë model të vjedhjes të parasë publike, nga vetë zyrtarët e shtetit me kompanitë e tyre, ku një pjesë e punëve në raste dërrmuese as nuk kryhen më, sepse faturohen nga kompanitë e drejtorëve dhe futen në xhepat e tyre, dhe as puna nuk kryhet.’

Gjatë diskutimit Këlliçi shtoi:

‘Sot këtë model në politikën shqiptare e futi Edi Rama. Erion Veliajn për dy dekada e pompoi në politikën shqiptare, sigurisht Edi Rama me Sorosin.’

Deputeti i PD-së theksoi se beteja personale e tij me Veliajn përfundon, por sfida përballë modelit të Edi Ramës vazhdon.

‘E gjithë beteja jonë, edhe e imja personale, sot me të vërtetë mbyllet beteja ime me Erion Veliajn, sepse ai sot i përket historisë, por nuk mbyllet, aq më tepër rifillon një betejë e re, hapet një kapitull i ri për çdo Erion Veliaj në qeveri. Edi Rama ka nga një Erion Veliaj në çdo ministri. Edi Rama modelin e vjedhjes dhe propagandën e Erion Veliajt e ka shtrirë në çdo institucion të pushtetit qendror dhe lokal.’

Ai bëri edhe një thirrje edhe për të gjithë demokratët dhe opozitarët që të mos dorëzohen në betejën e tyre ndaj Edi Ramës dhe Erion Veliajve të tjerë në çdo institucion.

‘Kjo është një thirrje edhe për ata opozitare, demokratë të zhgënjyer, të mërzitur të lodhur nga 12 vite në opozitë, të rrënuar sepse shohin se çdo ditë në këtë vend, e ardhmja duket edhe më e zezë, që duhet ta marrin rastin e Veliajt përmes qëndresës, besimit, denoncimit me fakte e prova, se në ndryshim nga Veliaj që nuk ka lënë kundërshtar pa goditur nën brez, opozita bëri një betejë parimore, me fakte, prova e dokumente dhe i çoi në SPAK.’

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco