'Ligji për barazinë gjinore nuk i shërben realitetit shoqëror'/ PL: Barazia 'artificiale' nuk duhet të zëvendësojë vlerat dhe traditat shqiptare

'Ligji për barazinë gjinore nuk i shërben realitetit shoqëror'/ PL: Barazia 'artificiale' nuk duhet të zëvendësojë vlerat dhe traditat shqiptare

14:01, 23/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Brunilda Haxhiu, zëdhënëse e Partisë së Lirisë, në një deklaratë për mediat tha se projektligji i ri për barazinë gjinore, i prezantuar nga qeveria, nuk i shërben barazisë së vërtetë, por përpiqet të imponojë një agjendë ideologjike që bie ndesh me traditat, kulturën dhe themelet e shoqërisë shqiptare.

Haxhiu theksoi se Partia e Lirisë mbështet respektin dhe dinjitetin e barabartë për burrat dhe gratë, mbrojtjen e vajzave dhe nënave nga diskriminimi, si dhe pjesëmarrjen e grave në jetën publike, por paralajmëroi se ky ligj rrezikon të relativizojë gjininë dhe të dobësojë institucionin themelor të familjes shqiptare.

"Familja shqiptare ka nevojë për mbështetje ekonomike, për politika sociale, për strehim, për arsim dhe shëndetësi më të mirë. Ajo ka nevojë për siguri dhe për stabilitet, jo për ligje që e dobësojnë nga brenda. Ne mbetemi të vendosur: do të mbrojmë familjen, do të mbrojmë vlerat tona, do të mbrojmë Shqipërinë nga çdo përpjekje për ta zhveshur nga identiteti i saj"- theksoj Haxhiu.

Deklarata e plotë:

Projektligji i ri për barazinë gjinore, i prezantuar nga kjo qeveri, është një tjetër shembull sesi pushteti përdor kauzat e ndjeshme shoqërore jo për të ndërtuar barazi të vërtetë, por për të imponuar agjenda ideologjike që bien ndesh me traditat, kulturën dhe themelet e shoqërisë shqiptare.

Askush nuk e vë në dyshim nevojën për të garantuar respekt dhe dinjitet të barabartë për burrat dhe gratë, për të mbrojtur vajzat dhe nënat nga diskriminimi, apo për të rritur pjesëmarrjen e tyre në jetën publike. Por ky ligj nuk i shërben barazisë reale. Ai, përkundrazi, ngre pikëpyetje të thella, sepse përmes nocioneve të paqarta si “identitet gjinor” apo “shprehje gjinore”, relativizon vetë konceptin e gjinisë dhe hap rrugë për të zhbërë kuptimin natyror e biologjik të burrit dhe gruas.

Familja është institucioni themelor i shoqërisë sonë. Ajo mbështetet mbi lidhjen natyrore mes burrit dhe gruas, mbi përkushtimin prindëror dhe mbi vlerat që kanë mbajtur gjallë kombin tonë ndër shekuj. Asnjë ligj nuk mund ta zëvendësojë këtë themel, e aq më pak një ligj që përpiqet të zbehë dallimet e natyrshme mes gjinive në emër të një barazie artificiale.

Në vend që të forcojë rolin e familjes, ky projektligj krijon terren për konfuzion social dhe përplasje kulturore. Në vend që të mbrojë gruan shqiptare nga dhuna, diskriminimi dhe mungesa e mundësive, ky ligj përqendrohet në nocione që nuk kanë lidhje me realitetin tonë shoqëror, duke rrezikuar të importojë konflikte ideologjike që shkatërrojnë unitetin dhe harmoninë.

Ne themi po barazisë së vërtetë mes burrit dhe gruas, po mbrojtjes së nënës dhe fëmijës, po forcimit të rolit të gruas në jetë publike dhe ekonomike. Por themi jo çdo tentative që tenton të relativizojë gjininë, të zhbëjë kuptimin e familjes dhe të vendosë përpara interesave të shoqërisë shqiptare eksperimente sociale që nuk na përkasin.

Familja shqiptare ka nevojë për mbështetje ekonomike, për politika sociale, për strehim, për arsim dhe shëndetësi më të mirë. Ajo ka nevojë për siguri dhe për stabilitet, jo për ligje që e dobësojnë nga brenda. Ne mbetemi të vendosur: do të mbrojmë familjen, do të mbrojmë vlerat tona, do të mbrojmë Shqipërinë nga çdo përpjekje për ta zhveshur nga identiteti i saj.

Faleminderit!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco