Cigarja e Albanës, shkrepësja e Ramës

Cigarja e Albanës, shkrepësja e Ramës

13:34, 23/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nga Basir Çollaku/

Një ditë, teksa bisedonte me mbretëreshën e Anglisë, këshilltari i saj i thotë:

-Madhëri, unë mundem të peshoj tymin e cigares tënde. Duke nënqeshur, Mbretëresha i kthehet. -Epo mirë, e vëmë një bast për këtë. Këshilltari mori cigaren e fikur dhe e peshoi. Pjesën e mbetur, pasi Madhëria e konsumoi duhanin, bashkë me pluhurin, e peshoi përsëri. Bëri diferencën dhe doli një shifër, duke qenë kjo rezultat i masës së tymit. Duke qeshur, Mbretëresha i kthehet mikut të saj.

-Kam gjithë jetën që i bëj paratë tym dhe kjo është hera e parë që tymi bëhet para.

Kështu ngjau dhe me Albanën ministre e re e Brendshme, pasi shndriti shëndetësinë me funeral ilaçesh. Një patronazhist në Amerikë kishte parë duke pirë cigare zëvendësministrin dhe kjo propozon një të shkarkuar. Sepse, ne dënojmë edhe duhanpirësit në USA, tymi i të cilëve, vjen me sekonda në Tiranë. Kjo, sepse ne mbulojmë si territor të zbatimit të ligjit edhe kundravjatjet shqiptare në SHBA. Ka dasht Zoti, e nuk kanë parë ndonjë anëtar kabineti, po në Amerikë, duke urinuar nga halli poshtë ndonjë ure, apo rrëzë ndonjë peme, sepse identifikimet e konfirmimet e provave, me fotot përkatëse, do të kishin sjellë ndëshkime serioze në Tiranë, për ujërrjedhjen e pahijshme matanë oqeanit. Kjo dalldi servilizmi e teatër për dashurinë ligjore, është më së shumti një pretekst për të justifikuar shkakun e ndryshimeve të kabineteve.

Dekorata komike e Koçiut me këtë gjest, të miratuar nga Rama, meriton vëmendje ta pyesësh, nëse ajo e ka zellin e ngjizur me drejtësinë, në karrigen e re për shumë emra të tjerë shokë e shoqe të Diellës në ekzekutiv?!

A di gjë zonja, se me çfarë ilaçesh juridike ia hodhi deri më tani vëlla Olsi Rama në dosjen “Xibraka”, e rikthyer në polici për veprime të tjera nga Struktura e Posaçme, ku ajo mbase do të inkurajojë agjentët e policisë së drejtorisë së antidrogës, të thellojnë kryerjen e veprimeve për identifikimin e autorit 45-vjeçar, flokëshkurtër, anonim nga viti 2014, njohur nga drejtësia gjermane por qorruar nga ajo shqiptare!? Madje të publikojë edhe foton që është në dosje, për t’u kërkuar ndihmë qytetarëve për njohjen e fantazmës. Nëse i duhen të dhëna të besueshme, mundet të pyesë Olsi Çelën, Prokuror i Përgjithshëm, aso kohe prokuror i çështjes te Krimet e Rënda, duke zgjedhur mos-ankimimin në Apel. Natyrisht, ajo nuk do ketë kohë të merret edhe me call-centerat e mashtrimit financiar, ku del e përmendet nga mediat e huaja emri Olsi Ramës. Sigurisht ajo nuk mund të çmendet e të pyesë, se ku lidhet Edi Rama më bandat e Krimit të Organizuar e të trafikut të kokainës, të cilat kanë marrë leje kullash në Tiranë?! Natyrisht asaj nuk i tepron asnjë sekondë kohë të marrë vesh, kush ia dha statusin investitor strategjik Pëllumb Gjokës së Metamorfozës, apo bandave të Durrësit për hotele e resorte?! Përse duhet të pyesë ajo, se si ish-kolegu i saj rilindas në Kuvend, Jurgis Çyrbja, në të njëjtën listë, atë të Durrësit, ku ishte edhe Rama legjislaturën e sapombaruar, si kandidat, dhe si e bindi shefin me propozim të grupit të drogës të ndryshonte renditjen në listë, duke marrë vendin e tretë?! Ka shumë puseta në atë kanal.

Është e tepërt të humbasë toruan largqoftë e të pyesë, përse drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda ka një telefon të sekuestruar në Strukturën e Posaçme, për dyshimet e përfshirjes në dosje të grupeve të trafikut?! Ai doli edhe më i fortë se ministri hoxhist paraardhës, duke hapur karrigen për Koçiun.

A di gjë e brendshmja Koçiu për lidhjet e Taulant Ballës me Suel Çelën, Edmond Begon, me Bajrët, me Toyota Yaris, me sakatimin e sistemit TIMS, me pafundësinë e të dhënave të sky-enchro, ku përmenden, priten e përcillen porosi me dhe në emër të tij? A ka kohë të flasë pak me DEAN, zyrën e saj në Tiranë, kush po dend vendin e Evropën me kokainë nga Amerika latine? Jo të pyes se sa janë ministra, deputetë, zyrtarë, përdorues të rregullt kokaine, se kjo është shaka e bardhë. Një garanci e ka. Shefi i saj kryeministër nuk pi. Se zë me dorë mallbardhën kolumbiane. A di ndonjë tymçe të vogël, për Belindën, Gjiknurin, Peleshin, Xhaçkën, Bushkën e plot bashkiakë zullumqarë të partisë së saj?! Deri atëherë, duhet të jemi të alarmuar, për cigaret slims, jo ato të Vilmës, pështymën në rrugë, shkeljen jashtë vizave të bardha, avujt e pakontrolluar të Lanës. Këto dhe të tjera vepra të rënda të ngjashme, janë prioritet shëndetësor i ministrisë së Brendshme. Rroftë cigarja, poshtë cigarja…!

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco