Nënkryetari i Këshillit të Bashkisë Tiranë, Dorian Teliti, në një deklaratë për mediat, denoncoi veprimet e mazhorancës socialiste gjatë mbledhjes së fundit të Këshillit Bashkiak, duke e cilësuar procesin e shkarkimit të kryebashkiakut Erion Veliaj si të vonuar dhe të kontestueshëm.
Teliti theksoi se propozimi i opozitës për shkarkimin e Veliaj, i bërë që në muajt e parë, u trajtua me 7 muaj vonesë nga mazhoranca dhe u shfrytëzua në mënyrë të gabuar për të shmangur përgjegjësitë ligjore.
Ai shtoi se qëllimi i opozitës është që ky proces të mos shndërrohet në një instrument për rikthimin e Veliaj në detyrë dhe për të garantuar largimin përfundimtar të tij nga drejtimi i Bashkisë, duke kujtuar gjithashtu shqetësimet për korrupsionin në qytet dhe inceneratorët që shpenzojnë miliona euro çdo muaj pa transparencë.
"Mazhorancës iu deshën 7 muaj për ta kuptuar se këtu nuk shërbehet, se Tirana është e zhytur në korrupsion, që inceneratorët marrin 1.1 milion euro çdo muaj, që Tirana është e papastër dhe trafiku rritet çdo ditë"- ttha ndër të tjera Teliti.
Dorjan Teliti:
"Jemi para mbledhjes të Këshillit Bashkiak, sa i përket propozimit të njohshëm të propozuar nga mazhoranca socialiste për shkarkimin e Veliaj, propozim i bërë ky nga ana e opozitës më parë, por mazhorancës iu deshën 7 muaj për ta kuptuar se këtu nuk shërbehet, se Tirana është e zhytur në korrupsion, që inceneratorët marrin 1.1 milion euro çdo muaj, që Tirana është e papastër dhe trafiku rritet çdo ditë.
Ajo që PD ka kërkuar edhe sot në këtë mbledhje është pikërisht shkarkimi më parë i Erion Veliaj, pra që ky akt të jetë i ligjshëm.
Pse është ky qëndrimi ynë? Në mënyrë që ky shkarkim të mos kthehet si instrument në duart e Erion Veliaj për t'u rikthyer me një vendim të gjykatës administrative po në krye të detyrës.
Qëllimi i opozitës është largimi përfundimtar i Erion Veliaj nga drejtimi i bashkisë dhe të vendosjen e traut të kthimit të tij në detyrë.
Vendimi i njëanshëm që është marrë sot nga ana e këshilltarëve të PS, ai projekt-vendim është bërë me shkelje të tjera, duke nisur nga fakti që Erion Veliaj disa vite më parë, konkretisht në 2016, ka marrë përsipër kompetencat e Këshillit Bashkiak për të firmosur një angazhim prej 93 milion eurosh, ndërkohë që ligji e ndalon të japë firmën edhe qoftë për ndihmë ekonomike pa vendimarrjen e këshillit.
Kjo gjë sot na u mohua në Këshillin Bashkiak, duke e lënë të thatë vendimarrjen që ka marrë mazhoranca socialiste, thjesht duke ju referuar afatit 90 ditor.
Ajo që kërkuam është: edhe një i burgosur i përjetshëm ka të drejtë të dëgjohet, jo një të paraburgosur që është rasti i qytetarit Erion Veliaj, ish-kryetari (tashmë pas disa orësh) i Bashkisë së Tiranës.
Fakti që mazhoranca socialiste insiston që të mos dëgjohet Veliaj në Këshillin Bashkiak, do të jetë një instrument në duart e Veliaj për të fituar gjyqin thjesht për mungesë proceduriale.
Është e drejta e tij ligjore të dëgjohet, opozita absolutisht nuk e ka asnjë lloji problemi që kjo gjë të ndodhë, siç është e drejtë jonë ligjore e kushtetuese të i'a plasim në fytyrë korrupsionin, abuzimin me detyrën që ka kryer në Bashkinë e Tiranës, dhe nuk duan të ja themi atij përmes korrespondencave mediatike, por aty, në sallën e Këshillit Bashkiak".
© SYRI.net