Nga Hysni Gurra/
Një cigare që djeg më shumë se kanceri?!!!
Albana Koçiu, sot ministre e Brendshme, dje ministre e Shëndetësisë, na dha një “leksion” të bujshëm për respektimin e ligjit: shkarkoi një zëvendësministër sepse piu duhan në një lokal.
Në parim, është një veprim normal, mund të kalonte edhe me tërheqje vërejtje privatisht, por kush do ta merrte vesh që ka ardhë ministre e re(?). Qëllimi ishte ta merrte vesh bota. Ligji është ligj për ministren e re e të sertë të policëve. Se fjala vjen, ne shohim gjithë ditën rrugëve në trafik policë me duhan në gojë. Do t’i shkarkojë zonja ata? Ku do gjejë policë që nuk pinë duhan, a mjaftojnë???
Mirëpo, derisa duhanin nuk e pi dot as qytetari i thjeshtë në lokal, nuk mund ta pijë as zyrtari që duhet të shërbejë si shembull. Madje, një zyrtar i lartë nuk ka as luksin të shfaqet me cigare as në rrugë, sepse çdo gjest i tij ka peshë publike.
Por paradoksi është i hidhur: si ka mundësi që e njëjta ministre, që dje mbante në dorë shëndetësinë e vendit, sot është e rreptë për një cigare, ndërsa dje mbylli sytë për dhjetëra fëmijë, të rritur e të moshuar që vuanin nga dhimbjet e kancerit për ilaçe?
A thua vallë dhimbja e tyre nuk ishte shkelje e ligjit?
A thua fondet e zhdukura të ilaçeve për Onkologjikun nuk ishin krim shumëfish më i rëndë se një cigarja në lokal?
Një cigare mund të ndotë një ambient, por korrupsioni dhe paaftësia në shëndetësi ndotin të gjithë sistemin.
Një cigare mund të dëmtojë shëndetin e atij që e pi dhe disa njerëzve përreth, por vjedhja e parave të ilaçeve ka dëmtuar mijëra jetë, ka shuar shpresa dhe ka varrosur fëmijë e prindër të pafajshëm.
Kjo është fytyra e hipokrizisë shtetërore: “zero tolerancë” për simbolikën e një ligji, por “zero përgjegjësi” për shkeljen e ligjit më të madh – të drejtës për jetën. Dhe pikërisht këtu qëndron e vërteta: nuk është fjala për ligjin, por për spektaklin.
Në fund, qytetarëve u mbetet pyetja e thjeshtë:
Cila djeg më shumë – një cigare në një lokal, apo një shtet që të lë të vdesësh për ilaçe?
© SYRI.net