Ambasada e Bashkimit Europian në Shqipëri, shprehu shqetësimin për sulmet e kryeministrit Edi Rama ndaj gjyqtarëve e prokuroreve, duke i cilësuar si ndërhyrje që cënojnë pavarësinë e gjyqësorit. Ndërsa Rama prej muajsh po kërcënon publikisht gjyqtare e prokurore, delegacioni i BE i kujton se drejtësia e pavarur është një kusht për integrimin në union.
Syri TV
Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri, ka reaguar me shqetësim, pas sulmeve dhe kërcënimeve të kryeministrit Edi Rama, ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në një reagim për mediat, ambasada e BE në Tiranë, thekson se ndërhyrjet e papërshtatshme politike, cënojnë pavarësinë e gjyqësorit, ndërsa thekson se drejtësia e pavarur është një prioritet kyç i procesit të anëtarësimit në BE.
Mbështetja për një sistem drejtësie të pavarur, të përgjegjshëm dhe efektiv mbetet në qendër të misionit të Delegacionit të BE-së në Shqipëri dhe një kusht kyç për përparimin në negociatat e anëtarësimit në BE. BE-ja ndjek nga afër zhvillimet në këtë fushë, përfshirë përpjekjet për ndërhyrje të papërshtatshme politike që cenojnë pavarësinë e gjyqësorit dhe që gjithashtu mund të gërryejnë besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë.
Gjatë muajve të fundit, kryeministri Edi Rama është bërë protagonist i sulmeve ndaj sistemit të drejtësisë, duke i linçuar dhe kërcënuar publikisht, ata gjyqtarë dhe prokurorëve që kanë marrë vendime, të cilat kryeministrit nuk i pëlqejnë.
© SYRI.net