'Rama ka frikë se...'/ Teliti: Çdo shkelje proceduriale përkthehet në shpërblim për Veliajn, të dëgjohet në KB

18:41, 22/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Nënkryetari i Këshillit të Bashkisë Tiranë, Dorian Teliti, i ftuar në emisionin ‘Task-Forcë’ në Syri TV, ka akuzuar qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama për kapje të plotë të vendimmarrjes në kryeqytet.

Sipas tij, vendimet në bashkinë e Tiranës nuk merren nga institucionet lokale, por nga Rama, ministrat e tij dhe të emëruarit e tyre. “Në bashkinë e Tiranës, vendimet i merr kryeministri, Balluku dhe të emëruarit e 4 ministrave që vendosin 4 nënkryetarë dhe 4 mekembësit e tyre, sekretarë praktikisht për të marrë vendimet që duan ata. Një apendiks i keq i qeverisë,” tha Teliti.

Ai shtoi se kërkesat e opozitës për largimin e Erion Veliajt si kryetar bashkie nuk janë marrë parasysh nga Edi Rama. “Ne dorëzuam kërkesën si grup keshilltarësh në maj të këtij viti, por Edi Rama nuk e mori parasysh. Kërkesa e fundit është nisur pa konsultuar dhe pa marrë parasysh fare kërkesën e opozitës,” u shpreh Teliti.

Ai paralajmëroi se çdo shkelje proceduriale nga qeveria mund të kthehet në dëmshpërblim financiar për Veliajn, duke evidentuar dhjetëra raste të ngjashme gjatë 30 viteve të fundit në Shqipëri, ku vendime të marra në mënyrë të njëanshme kanë rezultuar në shuma qindra mijëra euro për palët përfituese.

Teliti akuzoi direkt Edi Ramën si pengues të transparencës dhe llogaridhënies në bashki: “Dhe nuk është ai vetë që e pengon, është Edi Rama. Çfarë frikë kanë? Kanë frikë se i paraburgosuri Erion Veliaj do flasë? Se do thotë disa të vërteta që do të cenojnë Edi Ramën, ministrat e tij apo qeverinë e tij?”

Ai vijoi duke e cilësuar kryeministrin si armikun kryesor të kryebashkiakut Veliaj.

Teliti:

Ne bashkinë e Tiranës vendimet i merr kryeministri, Balluku dhe të emëruarit e 4 ministrave që vendosen 4 nënkryetarë, vendosen 4 mekembësit e tyre, sekretarë praktikisht për të marrë vendimet që duan ata.
Një apendiks i keq i qeverisë. Nga ana tjetër ku jemi ne sot dhe kush është kërkesa jonë.
Objektivi ynë politik është largimi i Erion Veliajt, ne dorëzuam kërkesën si grup keshilltarësh, në maj të këtij viti, Edi Rama nuk e mori parasysh, dhe kërkesën që ka nisur tani, e ka nisur pa e konsultuar dhe pa e marrë parasysh fare kërkesën e opozitës.

E ka bërë në mënyrë të njëanshme.
Çfarë kam kërkuar unë sot konkretisht edhe në emër të keshilltarëve të tjerë edhe në emër të opozitës, që Erion Veliaj nesër duhet të shkarkohet, por duhet të shkarkohet me procedure, se çdo shkelje proceduriale nesër kthehet në dëmshpërblim financiar që e merr Erion Veliaj në të ardhmen, shërbim prej qindra mijëra eurosh që ka ndodhur me dhjetëra raste gjatë këtyre 30 viteve në Republikën e Shqipërisë, që thjesht për mosrespekt të procedurës është marrë vendimi pro një pale e cila ka qenë fajtore, por procedura nuk është respektuar dhe vetëm aq kanë mjaftuar që të marrë dëmshpërblimin prej qindra mijëra eurosh.

Nëse ligji dhe Kushtetuta e parashikon që Erion Veliaj të dëgjohet, po, e kemi thënë që pardje, e tha dhe lideri i opozitës sot, ne jemi të gatshëm të përballemi me Erion Veliajn në Këshillin Bashkiak, e dua aty në Këshillin Bashkiak, e duam t’ia themi të vërtetat në sy, të korrupsionit, të klientelizmit, të krimeve ekonomike dhe financiare.

Dhe nuk është ai vetë që e pengon, është Edi Rama, dhe pse, çfarë frikë kanë?
Kane frikë se i paraburgosuri Erion Veliaj do flasë? Kane frikë se do thotë disa të vërteta që do të cenojnë Edi Ramën, ministrat e tij apo qeverinë e tij?

Armikun e ka njohur, armiku kryesor i Erion Veliajt është Edi Rama.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco