'Propaganda e qeverisë e kthen qytetarin në viktimë të nënshtruar'/ Mustafaj: Shqipëria nën 'autokracinë e butë' të Ramës, liria nuk ekziston

17:11, 22/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Në një intervistë për Syri TV në edicionin e pasdites, drejtuesi i departamentit ‘Brain Gain’ në PD, Andi Mustafaj, komentoi mbi një shkrim të tijin të pak ditëve më parë ku ndër të tjera ai analizon mënyrën se si një regjim autoritar nuk synon vetëm trupin, por mbi të gjitha mendjen e qytetarëve, duke e bërë nënshtrimin e tyre të padukshëm.

Ai mbijeton përmes përçarjes së vazhdueshme, ku propaganda nxit xhelozi dhe armiqësi të brendshme për të dobësuar solidaritetin shoqëror. Çdo veprim i pushtetit shoqërohet me një justifikim të vogël, që qytetarët e përsërisin pa e kuptuar, duke i dhënë legjitimitet të keqes.

Sipas Mustafajt,  përmes relativizimit, korrupsioni, dhuna dhe krimi shiten si të zakonshme, duke ulur pritshmëritë dhe aftësinë për të reaguar. Propaganda funksionon si një shkencë e kontrollit, me intensitet, ritëm dhe qëndrueshmëri, duke e shndërruar në normalitet. Më në fund, gjithë rrëfimi politik përqendrohet te një “armik i madh”, që shërben për të justifikuar dështimet, për të mobilizuar militantët dhe për të rishkruar historinë.

Në bisedën me moderatorin Edvin Parruca, Mustafaj hodhi akuza të forta ndaj kryeministrit Edi Rama dhe qeverisë së tij, duke i cilësuar institucionet shqiptare si jofunksionale dhe vendin të kapur nga kjo “autokraci e butë”.

Mustafaj deklaroi se “ne jemi kokë e këmbë në betejë me regjimin”, duke theksuar se kjo formë pushteti krijon iluzionin e lirisë, por në realitet e mohon atë në çdo hap. Sipas tij, propaganda qeveritare mbijeton duke përçarë qytetarët, duke relativizuar korrupsionin, dhunën dhe krimin, ndërsa popullit i shiten si të zakonshme.

Ai nënvizoi se deputetët e Partisë Socialiste nuk kanë prodhuar asnjë ligj, amendament apo ide politike më vete, duke dëshmuar se çdo gjë kontrollohet nga Edi Rama. “Opozita, edhe pse pakicë për shkak të manipulimeve, nuk gëzon as të drejtat minimale që i takojnë”, u shpreh Mustafaj.

Sipas tij, manipulimi i qeverisë është i heshtur dhe i vazhdueshëm, duke u futur në ndërgjegjen e qytetarëve përmes propagandës dhe spektakleve boshe, që i kthejnë njerëzit në viktima të nënshtruara të sistemit.

Mustafaj paralajmëroi se ky model qeverisës, që ushqen një kult personaliteti për Ramën, shkatërron solidaritetin shoqëror dhe e bën lirinë një fasadë.

Mustafaj:

Ne jemi kokë e këmbë në betejë me regjimin.
Autokracia e butë, të jep ndjesinë që je i lirë, ka një ndjesi në hapin e parë të lirisë, por në çdo vend ku liria s’vlen, dhe ky është marifeti që është krijuar, në çdo vend ku liria vlen, liria nuk ekziston.

Institucionet shqiptare të pavarura nuk janë funksionale, deputetët e Partisë Socialiste shpesh dalin në debate dhe i vendosin në sfidë socialistët vetë: Çfarë ligji, çfarë ideje politike, çfarë amendamenti është bërë nga një socialist, dhe përgjigjja është: asnjë.

Pra aty ku liria i shërben individit për të vendosur politikisht, ajo nuk ekziston.
Dhe opozita që duhet të ketë të drejtat e pakicës, që opozita shqiptare është pakicë për shkak të manipulimeve — po ky është debat tjetër — po ta zëmë se është pakicë në parlament dhe në institucione të tjera, këto të drejta nuk i njihen.

Manipulimi shtrihet në ndërgjegjie, në subkoshiencën e qytetarëve, Edi Rama ripërdor metoda klasike, dhe fakti që ripërdor metoda klasike, na të kuptojmë, të analizojmë çfarë ka ndodhur më parë dhe t’i ndryshojmë këto.

I japin vlera politike asaj që nuk është, pra ty të sjell në sheshin Skënderbej regjimi, të rrethon nga godinat e larta të cilat sigurohet ta dish që i ka bërë ai, pra ta imponon në ndërgjegjen tënde vogëlsinë e qytetarit dhe më pas të argëton.

Këto janë disa thërrime argëtimi që mos të mendosh për problematikat dhe kjo është një pjesë e manipulimit të heshtur, të butë që njerëzit nuk e dallojnë, që pak e nga pak rrënjoset në subkoshiencën e tyre dhe i kthen ata në viktima të nënshtruara të sistemit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco