Në një deklaratë për mediat në përfundim të konferencës së kryetarëve, Agron Gjekmarkaj, deputet i Partisë Demokratike, u shpreh se dy seancat e para të Parlamentit shqiptar shënuan një përpjekje të hapur për të asgjësuar parlamentarizmin në vend.
Ai akuzoi mazhorancën se po vepronte me qëllim për të eliminuar çdo mundësi për opozitën dhe për të minuar të drejtat e saj, duke shtuar se vetë zoti Peleshi, u shfaq si kryetentator i këtij procesi. Gjekmarkaj theksoi se seancat e para të Kuvendit sollën shkelje flagrante të rregullores, heqjen e komisioneve dhe zvogëlimin e hapësirave për opozitën.
Ai kërkoi ripërsëritjen e seancës dhe mbledhjen e Komisionit të Ligjislacionit për të shqyrtuar mundësinë e një mocioni për shkarkimin e Peleshit, duke e cilësuar këtë si një veprim të domosdoshëm për të mbrojtur funksionimin demokratik të Parlamentit dhe për të garantuar transparencën dhe të drejtën e opozitës për të ushtruar detyrën e saj.
Pjesë na deklarata:
Dy seancat e para të Parlamentit shqiptarë ishin një përpjekje e suksesshme për të asgjësuar parlamentarizmin në vend, ku vetë zoti Peleshi u paraqit si një kryeatentator i parlamentarizmit, duke provokuar dhe mohuar çdo të drejtë të opozitës.
Në seancën e parë, destrukturuan rregulloren e Kuvendit, hoqën komisionet dhe zvogëluan hapësirat për opozitën. Në seancën e dytë, vetë Kryeministri erdhi me tendenca provokuese, në mënyrë që të mos kishte transparencë, të mos zhvillohej debat dhe të paraqiteshin vetëm ministrat e tij anonimë, pa pasur mundësi feedback-u nga qytetarët shqiptarë, ambasadorët e pranishëm që erdhën dhe mbetën të shushatur.
Kërkova ripërsëritjen e seancës, kërkova mbledhjen e Komisionit të Legjislacionit për të shqyrtuar sa më shpejt mundësinë për një mocion ndaj zotit Peleshi, për të anuluar dënimet absurde të kësaj mazhorance ndaj deputetëve të opozitës dhe për të hequr çdo pengesë për mediat në sallën e Parlamentit.
Hap pas hapi, do t'i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese, do të vendosim dhe do t'ju informojmë. Ende nuk kemi marrë një vendim.
Ne do të shfrytëzojmë çdo hapësirë që ofron Parlamenti dhe kudo tjetër për të komunikuar të vërtetën dhe për t'u përballur me këtë mazhorancë arrogante.
© SYRI.net