Me ftuar në emisionin "Kafe Shqeto" me Flavio Qarrin, gazetarja Alba Kepi ka komentuar vendimin e Kryeministrit Edi Rama për shkarkimin e Erion Veliajt nga posti i kryetarit të Këshillit Bashkiak të Tiranës.
Sipas Kepit, ky është një akt i pastër politik, i cili synon të shpëtojë imazhin e PS dhe të mbajë të pandryshuar pozitat e tij. Në një moment delikat për Tiranën, gazetarja nënvizon se çdo veprim i nxituar dhe i pasuksesshëm mund të rrezikojë jo vetëm stabilitetin politik, por edhe zhvillimin e mëtejshëm të qytetit.
Ajo paralajmëron se, për sa kohë që vendimmarrja politike vazhdon të jetë e ndikuar nga interesat personale të Ramës, qytetarët e Tiranës dhe të gjithë shqiptarët do të vazhdojnë të paguajnë çmimin e krizave të thella të brendshme që po i vijnë PS-së.
Pjesë nga deklarata:
Rama vendimin për shkarkimin e Veliajt e mori në selinë e PS. Është mjaft domethënëse thirrja që ai i bëri këshilltarëve bashkiakë në selinë e tij, e cila është totalisht pjesë e strategjisë për të treguar se po sakrifikon Veliaj për të shpëtuar imazhin e PS dhe imazhin e tij.
Jemi në një pikë mjaft delikate, pasi nuk ka nevojë për PD apo votën e këshilltarëve bashkiakë të PD për shkarkimin ose jo të Erion Veliajt. Ka që në maj të 2023 që Këshilli Bashkiak i PS nuk ka marrë asnjëherë në konsideratë, qofte për procedurë, asnjëherë nuk ka marrë parasysh një zë të këshilltarëve opozitarë. Vendimi i PS dhe liderit të tij për të shkarkuar Veliajn nga kryetari i Këshillit Bashkiak nuk duhet të gjejë dekor tek PD dhe tek këshilltarët bashkiakë të PD.
Ende nuk është marrë një vendim. Sot këshilltarët e PD do të takohen. Marin një vendim apo jo, unë mendoj që këshilltarët e PS i kanë votat tashmë dhe nuk kanë nevojë për votën e PD për të vendosur atë që ka vendosur Rama. Prandaj po them se duhet trajtuar me urtësi, sepse po sakrifikohet Tirana. Po sakrifikohet Tirana pasi ne duhet të jemi objektivë. Sapo kemi kaluar nga zgjedhjet politike, pamë masakrën e kryer dhe kush ka shpresa dhe mendon se në këtë situatë mund të fitojë për Tiranën, është i gabuar.
Nëse do të ndodhë shkarkimi i Veliajt, ai mund të ketë 15 ditë kohë për të ankimuar dhe më pas presidenti i Republikës do të dekretojë datën e zgjedhjeve. Mendoj se brenda 6 muajsh nuk është asgjë gati për të marrë Tiranën, dhe për ta marrë do të thotë të çosh në rrezik qeverinë, dhe këtë Rama nuk do ta kalojë kurrë. Ai është shumë i investuar në egon e tij dhe në këtë finalizim, pasi kërkon të çojë Shqipërinë në BE dhe të forcojë autoritetin e tij.
Unë kam kërkuar para një viti që Bashkia e Tiranës të shkarkohej e tëra me motivin e lidhjeve me krimin e organizuar. Kjo mund të ndryshonte letrat në tavolinë, pasi nuk do të ishte më një shkarkim nga Këshilli Bashkiak, por nga Ministria e Brendshme. Kjo do të çonte Bashkinë e Tiranës në një rrugë tjetër. Ajo që kam propozuar pak ditë më parë është se nuk mund të sakrifikohet edhe njëherë Tirana për këtë lloj strategjie të PS dhe të Ramës, i cili tashmë ka kapur dhe ka marrë nën sundim Tiranën dhe të gjithë Shqipërinë, dhe këto janë fakte.
© SYRI.net