'Program mashtrimi', Xhixho: Kjo qeveri do të demaskohej në Parlamentin e së enjtes, Rama ka frikë të përballet me faktet

17:32, 21/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Erisa Xhixho, deputete e Partisë Liberaliste dhe e ftuar në intervistën e mesditës në Syri TV, u shpreh se ky sesion parlamentar ka nisur me shkelje të rënda të rregullores dhe Kushtetutës.

Sipas saj, mazhoranca ka vepruar në mënyrë arrogante dhe të njëanshme, duke ndryshuar pa transparencë strukturën e komisioneve parlamentare dhe duke anashkaluar afatet ligjore për miratimin e ligjeve me procedurë të përshpejtuar. Kjo, tha Xhixho, është një shkelje flagrante që minon funksionimin normal dhe demokratik të Parlamentit.

Ajo theksoi gjithashtu se në debatin për miratimin e programit të qeverisë, opozita kërkoi kohë të pakufizuar për të denoncuar me fakte dhe prova mashtrimet e qeverisë, por mazhoranca refuzoi çdo diskutim serioz dhe e mbylli seancën në mënyrë të paligjshme dhe me arrogancë. Xhixho akuzoi kryeministrin dhe qeverinë se i tremben debatit dhe transparencës me të vërtetën.

Pjesë nga deklarata:

Ky sesion parlamentar ka nisur me shkelje të Rregullores dhe Kushtetutës. Që në fazën e parë, me ndryshimet në komisionet parlamentare që u paralajmëruan nga asambleja e PS-së, me shkrirjen e Komisionit të Integrimit një komision shumë i rëndësishëm i Parlamentit ku ne patëm edhe një ligj për funksionimin e kontrollit parlamentar dhe fuqizimin e rolit të Komisionit të Integrimit, pikërisht për procesin në të cilin ndodhemi. Kjo u bë në mënyrë të njëanshme.

Kërkuam të zbatohej Kushtetuta për afatin 7-ditor për ligjet me procedurë të përshpejtuar. Me një arrogancë nga kjo mazhorancë, u kalua menjëherë në votim.

Nga ana tjetër, për seancën e debatit mbi programin dhe miratimin e qeverisë një nga seancat më të rëndësishme të Parlamentit, në një vijë me diskutimet që bëhen për miratimin e buxhetit – dua t’u kujtoj qytetarëve që opozita kërkoi të kishte një kohë të pakufizuar në diskutimet për programin, pikërisht sepse qëllimi i opozitës do të ishte të denonconte, të detajonte me fakte dhe prova të gjithë atë program, që në fakt do ta quaja program propagandë dhe mashtrim i radhës. Dhe ishte opozita që kërkoi këtë minutazh të pakufizuar.

Ne u gjendëm në një situatë ku, në Parlament, në momentin që dhe këtë dua ta sqaroj, pasi jemi në një moment autokratik ku edhe media që është krah i qeverisë e shtyn sikur ishte faji i opozitës për atë që ndodhi në Parlament...

Në momentin e zhvillimit të seancës, ku foli kryeministri, askush nuk e ndërpreu fjalën e tij. Në momentin që kryeministri i dha fjalën ministres Diella – në mënyrë antikushtetuese, në shkelje të Kushtetutës dhe Rregullores e cila jo vetëm është dekretuar në formë të paligjshme, por ishte edhe një tallje ndaj nesh dhe ndaj publikut: se me çfarë statusi vinte kjo ministre dhe si do të pranonim një shkelje të Kushtetutës.

Në këtë moment ndodhi reagimi i opozitës një reagim plotësisht i drejtë. Ishte një provokim nga PS-ja, një provokim i tyre për të shkatërruar atë seancë.

Sepse kryeministri jo vetëm që nuk e njeh Parlamentin dhe vjen një herë në 6 muaj që të mos i digjet mandati, por jo vetëm ka zhdukur çdo funksion të institucionit të kontrollit të ekzekutivit që i ka humbur plotësisht këto karakteristika në një republikë parlamentare por padyshim nuk donte debat dhe ballafaqim me fakte. Ballafaqimi me fakte është diçka që e tremb dhe nuk do që opinioni publik të ketë transparencë apo llogaridhënie.

Në mënyrë të paligjshme, në shkelje të Rregullores dhe Kushtetutës, u mbyll një seancë për 5 minuta. Dhe mos harroni më 25 mos harroni kërcënimin që bëri Rama: “Nëse do të vazhdoni të reagoni kështu ndaj një shkeljeje të Kushtetutës, do ta mbyll këtë Parlament dhe do të kalojmë direkt në votim.”

Kjo sjellje ndaj opozitës nuk është çështje ndaj disa deputetëve. Është një sjellje, një qasje që kjo qeveri e mori që kur u mandatua me 83 mandate. Gjatë 3 muajve të fundit ka pasur sjellje arrogante. Ne jemi aty për të debatuar, për të shfrytëzuar maksimalisht instrumentet e Parlamentit me kërkesat tona.

Ministrja Diella është antiligjore dhe antikushtetuese. E gjithë kjo trumbetohet me qëllim marrjen e disa lajmeve ndërkombëtare dhe për të fshehur vjedhjet. Sepse Diellës të gjitha informacionet ia jep Rama dhe administrata e tij. Sa i përket programit të tyre është një program bosh dhe i parealizueshëm.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco