Prej 10 ditësh, banorët e fshatit Varibop në Fier kanë mbetur pa ujë të pijshëm dhe sot kanë dalë në protestë në hyrje të fshatit, në aksin nacional Levan-Tepelenë.
Ata thonë se prej më shumë se një dekade përballen me mungesë uji, ndërsa investimi i bërë 4 vite më parë nga qeveria u kthye në dështim që në muajin e parë.
“Tubacioni ishte material i hollë, i amortizuar që në vendosje, sa e mbyllin me tapa druri hapet në tjetër vend. Për 4 vite ky ujësjellës na ka lënë vazhdimisht pa ujë”, shprehen banorët.
Protestuesit akuzojnë drejtuesit lokalë të Partisë Socialiste se kujtohen për fshatin vetëm ditën e votimeve, ndërsa në përditshmëri as kryeplaku, as administratori dhe as strukturat e PS-së nuk reagojnë.
“Belinda Balluku me shokë e me suita vinin këtej e blinin vota tek fukarajtë, por për ankesat tona nuk bënë asgjë”, shprehet një banor.
Sipas tyre, Varibopi është lënë pas dore nga qeveria, ndërsa banorët janë të detyruar të vuajnë për një nevojë elementare siç është uji i pijshëm.
Banori protestues:
Kemi aty prej 10 vitesh që jemi pa ujë pasi dhe shenjat ky pus i ka dhënë më përpara, uji ka qenë i papijshëm, tubacioni për rreth 1 km e gjysmë ka qenë tejet i amortizuar që në vendosje, pra që në vendosjen e këtij tubacioni para 4 vitesh ku u bë investimi i ri, një investim që krenoheshin pushtetarët e bashkisë së Fierit por që muajin e parë ne mbetëm pa ujë.
Tubacioni i vendosur nuk e mban dot presionin sepse është një material i hollë, dhe herë pas here ai hapet, sa e mbyllin punëtorët me tapa druri, hapet në tjetër vend dhe kjo ka vazhduar për gjatë 4 viteve që është bërë ky ujësjellës. Ne herë pas here kemi mbetur pa ujë.
Jemi shumica e fshatit që nuk ka mundësi të bëjnë puse.
Ne e kemi ngritur shumë herë si shqetësim në institucione, por ata kanë një motiv, kanë hall se mos u ikën partia dhe vetëm ditën e votimeve i sheh.
As ato strukturat e Partisë Socialiste që janë këtu, as kryeplaku, edhe ai administratori nuk e çajnë kokën, Varibopin ata e kanë lënë pas dore, vijnë vetëm për vota.
Belinda Balluku me shokë e me suitën e saj erdhi, ndenji 3-4 muaj këtej vërdallë me suitën e saj, vinin e blinin tek lloj-lloj fukarai vota dhe të vesh për një ankesë, absolutisht asnjë veprim nuk bëjnë.
© SYRI.net