Deputeti i PD-së, njëherazi dhe kreu i FRPD, Besart Xhaferri, ka reaguar për sulmin me tritol ndaj banesës së deputetit Xhelal Mziu, duke e cilësuar këtë akt si një dëshmi të qartë të kontrollit që ka fituar narkoshteti mbi institucionet dhe jetën politike në vend.
Xhaferri theksoi se ky sulm është një mesazh tërësisht të drejtpërdrejtë ndaj opozitës, që kërkon të ndalë denoncimet e korrupsionit dhe krimeve elektorale. Ai nënvizoi se fuqizimi i grupeve kriminale, të cilat tani janë përdorur për të kanosur dhe sulmuar opozitarët, është një pasojë e drejtpërdrejtë e politikave të dështuar të qeverisë.
Xhaferri kërkoi një hetim të thellë dhe shpejtësi në ndëshkimin e atyre që qëndrojnë pas këtij sulmi terrorist, duke paralajmëruar se askush nuk mund të mbrohet në një shtet të kapur nga bandat dhe kriminelët.
Reagimi:
Tritoli në banesën e deputetit Xhelal Mziu, dëshmi se Narkoshteti kërkon t’i mbyllë gojën opozitës me çdo çmim!
E kam paralajmëruar prej kohësh se fuqizimi i pakufi i grupeve kriminale do t’i kthejë ata në një kërcënim serioz për shoqërinë dhe sot ato grupe kriminale po përdoren nga Rama për të kanosur dhe për të sulmuar opozitën!
Sulmi me tritol ndaj banesës së deputetit të PD-së, Xhelal Mziu, që ndodhej në shtëpi me familjen e tij, është një akt i pastër narkoterrorist, në shenjë hakmarrjeje për denoncimin e krimeve elektorale të Xhelal Mziut në zgjedhjet e 11 majit.
Xhelal Mziu dhe demokratët e Dibrës në 11 Maj janë përballur me blerësit e votës në Dibër dhe strukturat e rendit që kishin marrë përsipër sigurinë e tyre gjatë kohës që do të kryenin krimin elektoral.
Duke dënuar këtë akt të rëndë i bëj thirrje zyrtarëve të ndershëm në Prokurori dhe Polici të hetojnë këtë agresion terrorist dhe të nxjerrin para drejtësisë autorët dhe porositësit e këtij sulmi me tritol.
Kushdo që amniston këto akte terroriste të bandave të lidhura me Edi Ramën, të jetë i sigurt se në një vend ku ligjin e bëjnë kartelet e drogës, askush nuk ka imunitet nga aktet dhe pasojat e narkoterrorizmit.
© SYRI.net