Lideri i opozitës, Sali Berisha, propozon çuarjen në Gjykatën Kushtetuese të dekretit për emërimin e ministrit virtual Diella, si dhe të miratimit me procedurë të përshpejtuar të Rregullores së Kuvendit.
Në fjalën e tij para grupit parlamentar, Berisha u shpreh se mazhoranca ka për qëllim ngushtimin e hapësirave të komunikimit të opozitës me ndërkombëtarët.
Kryedemokrati u ndal gjithashtu edhe te lidhjet e qeverisë me kartelet e drogës, për të cilat SHBA ka nisur një ofensivë, që Berisha e cilësoi si luftë ndaj “miqve të Edi Ramës”.
Partia Demokratike do të çojë në Gjykatën Kushtetuese vendimin për ndryshimin e Rregullores së Kuvendit dhe dekretin për emërimin e ministrit virtual Diella në krye të Prokurimeve Publike.
Këtë e paralajmëroi lideri i opozitës, Sali Berisha, gjatë një mbledhjeje urgjente të grupit parlamentar të PD-së në selinë blu, pasi mazhoranca miratoi me votat e saj ndryshimet në strukturën parlamentare.
Berisha deklaroi se ndryshimet në komisionet parlamentare përbëjnë një akt flagrant me synimin për t’i ngushtuar opozitës hapësirën e komunikimit me ndërkombëtarët.
Gjatë fjalës së tij para ligjvënësve demokratë, Berisha u ndal edhe te mesazhi i Departamentit Amerikan të Shtetit për trafiqet e drogës në vend, duke theksuar se PD do të faktojë në mënyrën më të fuqishme lidhjet mes karteleve shqiptare dhe qeverisë.
Berisha deklaroi se forcat e armatosura të SHBA-së po asgjësojnë anijet e trafikantëve, të cilët sipas tij janë “miqtë e Edi Ramës” dhe bëjnë tregti të paligjshme.
Lideri demokrat u ndal gjithashtu edhe te procesi i integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian, ku theksoi se opozita e mbështet plotësisht këtë proces, por shtoi se vendi nuk përmbush asnjë standard të kërkuar për integrim – përveç pozicionit të tij gjeostrategjik.
© SYRI.net