Lajmi i fundit

TASK FORCE/ Qytetarët në shesh, Rama turizëm në Zvicës

'BE kërkon standarde', Zhulali: Hapja e kapitujve s’është sukses, Shqipëria s’ka përmbushur asnjë kusht real

17:08, 16/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

E ftuar në intervistën e mesditës, Ilda Zhulali, Drejtuese e Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë në Partinë Demokratike, u shpreh se pavarësisht retorikës së kryeministrit për integrimin në BE, realiteti tregon një tjetër fytyrë të qeverisjes. Sipas saj, Shqipërisë po i jepet një mundësi historike për të avancuar drejt anëtarësimit, por qeveria “Rama” nuk po e trajton këtë proces me seriozitetin dhe përgjegjësinë që kërkohet.

Zhulali theksoi se veprimet e fundit të mazhorancës në Kuvend, përfshirë shkeljen e rregullores dhe përjashtimin e opozitës nga komisionet, tregojnë qartë përpjekjen për të minuar demokracinë dhe për të shmangur çdo kontroll real institucional. Ajo ngriti shqetësimin se BE-ja nuk do të shpërndajë duartrokitje, por detyra konkrete që kërkojnë përmbushje detyra që, sipas saj, qeveria shqiptare po i injoron.

Zhulali solli në vëmendje disa raste alarmante që, sipas saj, e diskualifikojnë Shqipërinë nga çdo pretendim për standarde europiane. Në vijim, ajo vuri në pikëpyetje edhe legjitimitetin e Kuvendit të ri, në mungesë të raportit përfundimtar të OSBE-ODIHR dhe për shkak të, siç tha ajo, presionit të paprecedent që Rama po ushtron për të ndikuar mbi të.

Pjesë nga deklarata:

Përgjigjen e drejtpërdrejtë kësaj ia dha përfaqësuesja e Presidencës Daneze, e cila tha se vëmendja që i është dhënë Shqipërisë dhe përparimi me të tregon që BE-ja i kushton rëndësi rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe se kjo ka një rëndësi gjeostrategjike për vetë BE-në. Kjo do të thotë se BE-ja do të lëshojë një mesazh të qartë se kjo hapësirë duhet të mbetet nën ndikimin e saj dhe se nuk do të lejojë përfshirjen e influencave të tjera, veçanërisht në kontekstin e asaj që po ndodh në Ukrainë.

Nga hapja e grupkapitujve ka mbetur vetëm një pa u hapur, çka do të thotë se të gjitha këto çështje janë tashmë në tryezë për t’u diskutuar. Mos ta harrojmë që Serbia ka 11 vite që ka hapur negociatat me BE-në dhe ka mbyllur vetëm dy kapituj, përkohësisht. Mali i Zi i ka hapur të gjithë kapitujt dhe ka mbyllur 8 prej tyre. Ky është një proces që kërkon kohë dhe shumë punë, si nga vendet që duan të anëtarësohen, ashtu edhe nga BE-ja.

Shqipërisë, besoj, po i jepet një mundësi e jashtëzakonshme. Është një nga ato stacione historike që ne duhet ta kishim kapur me më shumë shpejtësi. Por, a e ka seriozisht Rama dhe qeveria e tij? Ai vërtet e pati si një flamur gjatë fushatës së tij, por mos harrojmë që, së pari, kemi mbledhjen e një Kuvendi që ende nuk ka legjitimitetin e plotë. Nuk kemi ende raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR, që të na tregojë nëse kemi pasur zgjedhje të lira dhe të ndershme. Mungon ky legjitimitet. Kemi një rast të paprecedentë, sepse asnjëherë nuk ka vonuar kaq shumë. Duket se presioni i Ramës për të ndikuar në ndryshimin e raportit është i madh, por legjitimiteti i Kuvendit që është mbledhur është në pikëpyetje.

Akti i parë i Ramës në Kuvendin e mbledhur rrëmbimthi është minimi i rolit të opozitës dhe shkelja e Rregullores së Parlamentit.

Me hapjen e kapitujve, qeveria shqiptare nuk do të marrë duartrokitje, por do të marrë një listë gjërash që do t’i plotësojë. Fatkeqësisht, pavarësisht se është hapur një numër i madh grupkapitujsh, nuk kemi parë asnjë qasje serioze nga qeveria për të ecur me seriozitet drejt negociatave. Përkundrazi, kemi parë një katastrofë në sigurinë ushqimore, çka prek jetën e çdo qytetari. Sepse në fund të fundit, integrimi në BE do të thotë që jeta e qytetarit shqiptar të bëhet më e sigurt dhe me standarde europiane.

Por vetëm këtë muaj kemi parë mish të importuar me pesticide, pulë me salmonelë, qumësht të skaduar, murtajë tek bagëtitë. Këto nuk duhet të ndodhin në një vend që pretendon të anëtarësohet në BE. Nëse këto vazhdojnë, Shqipëria do t’i nënshtrohet gjobave të mëdha dhe dënimeve spektakolare, të cilat në fund do t’i ndiejë qytetari.

 

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco