Deputetja e Partisë së Lirisë dhe anëtare e Komisionit të Integrimit, Erisa Xhixho, akuzoi mazhorancën se po e shkrin qëllimisht këtë komision duke ia hequr drejtimin opozitës dhe njëkohësisht po e përjashton nga procesi i integrimit të Shqipërisë, që duhet të jetë gjithpërfshirës.
Me një deklaratë të bërë sot për mediat pas seancës plenare të ndërprerë dhe në pritje të rinisjes së saj, ligjvënësja e PL theksoi se mazhoranca ka kapur të gjitha pushtetet në vend dhe ka zëruar të gjitha përpjekjet për rolin konstruktiv, duke kapur edhe Komisionin e Integrimit.
“Mazhoranca ka vendosur të përjashtojë opozitën nga drejtimi i Komisionit të Integrimit në momentin më të rëndësishëm për këtë proces. Në një kohë ku gjithëpërfshirja në këtë proces ishte domosdoshmëri, ky komision do të bëhet monopol i qeverisë. Procesi i integrimit nuk është tagër vetëm i qeverisë, por duhet të jetë gjithpërfshirës, jo vetëm aktorët politikë, por edhe akademik, media, shoqëria civile dhe çdo burim në vend. Me arrogancën që e karakterizon mazhoranca socialiste po kërkon t’i kufizojë opozitës hapësirën në Parlament, duke e përjashtuar nga një proces kaq jetik për vendin. Me shkrirjen e Komisionit të Integrimit, që kishte në dorë opozita për të luajtur një rol konstruktiv në procesin e integrimit, në këtë moment zerohet”, tha Xhixho në fjalën e saj.
Deputetja nënvizoi edhe qëllimet e qeverisë dhe Parlamentit, të cilin e cilësoi si një regres.
“Pasi ka kapur të gjitha pushtetet, pasi ka vënë nën këmbë të gjitha pasuritë e vendit, kjo qeveri synon të kapë edhe Komisionin e Integrimit, duke shënuar qartazi një regres në demokracinë parlamentare. E njëjta qeveri që në 2017 shkriu Ministrinë e Integrimit, kërkon tani të bllokojë procesin në momentin më deçiziv të tij, duke e bllokuar”, vijoi ajo.
Dhe në fund, duke akuzuar si Parlamentin në një institucion të kthyer në “noter dhe ministri” të qeverisë, Xhixho u shpreh se opozita asnjëherë nuk e ka penguar procesin e integrimit të vendit.
“Si anëtare e Komisionit të Integrimit, dua të them me përgjegjësi të plotë se nuk ka pasur asnjë rast ku opozita të jetë bërë pengesë për procesin, përkundrazi ka nxitur avancimin dhe ka qenë mbështetëse e fortë e procesit. Kemi qenë në mbrojtje të standardeve evropiane dhe për harmonizimin e legjislacionit me BE-në. Ky veprim rikonfirmon edhe një herë se Parlamenti fatkeqësisht është kthyer në një noter dhe një ministri më shumë për Qeverinë”.
© SYRI.net