Shoqata e Gjyqtarëve të Shqipërisë ka dënuar kërcënimet e kryeministrit Edi Rama ndaj gjyqtarit Marko Boshku, për shkak se ky i fundit dha një vendim kundër shkarkimit të një zyrtari. Organizata e gjyqtarëve të Shqipërisë i cilëson këto kërcënime si vepër penale të kryer nga Rama, ndërsa thekson se këto lloj sjelljesh nuk janë tipare të një shteti demokratik me sisteme të pavarura, por të sistemeve diktatoriale.
SYRI TV
Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve të Shqipërisë ka reaguar me tone të ashpra kundër kërcënimeve që kryeministri Edi Rama po u bën gjyqtarëve, përmes paralajmërimeve për shkarkime dhe gjyqe publike. Sulmi ndaj gjyqtarit të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, Marko Boshku, pasi i dha të drejtë një zyrtari të shkarkuar nga qeveria e tij, thekson Shoqata, është një tentativë e paprecedentë për uzurpimin e sistemit të gjyqësorit dhe paralajmëron se do të ndjekë rrugë ligjore për mbrojtjen e gjyqtarit dhe të pavarësisë së sistemit të drejtësisë.
Kreu i ekzekutivit shqiptar, në një mënyrë tërësisht të paprecedentë dhe të papranueshme, ka sulmuar një tjetër gjyqtar të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, Marko Boshku. Shoqata i shpreh mbështetjen e plotë gjyqtarit Boshku, si një gjyqtar me integritet dhe model në punën e tij. I kujtojmë përfaqësuesit më të lartë të pushtetit ekzekutiv se çdo deklaratë denigruese në drejtim të gjyqtarëve përbën ndërhyrje në veprimtarinë e tyre dhe se, referuar nenit 145, pika 3, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, një veprim i tillë sjell përgjegjësi sipas ligjit. Postime dhe komente si ai që është bërë ndaj gjyqtarit Marko Boshku janë në kufijtë e veprës penale dhe, si të tilla, do të monitorohen nga kjo Shoqatë, duke përcaktuar hapat që do të ndërmerren në çdo rast.
Shoqata e Gjyqtarëve i bën thirrje Këshillit të Lartë Gjyqësor që të mbajë një qëndrim më të qartë në mbrojtje të pushtetit gjyqësor, ndërsa i bën thirrje edhe ndërkombëtarëve që të shqyrtojnë shantazhin që qeveria Rama po i bën sistemit të gjyqësorit.
I bëjmë thirrje gjithë partnerëve tanë ndërkombëtarë për të mbështetur pa rezerva sistemin e reformuar të drejtësisë, i cili është më së pari produkt i ndihmës së tyre të pakursyer, si dhe të bëjnë të mundur që zëri i tyre në këtë drejtim të dëgjohet nga ata që u ka humbur kjo shqisë në raport me aktorët e brendshëm. Sulmi ndaj një pushteti tjetër jo vetëm që e minon këtë parim gurthemel të Kushtetutës sonë, por është shprehje e një mentaliteti që i përket një regjimi tjetër.
Shoqata e Gjyqtarëve thekson se ky sulm nuk është vetëm një tentativë për uzurpimin e këtij pushteti, por mund të ketë pasoja në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
© SYRI.net