Nga foltorja e Kuvendit, kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, akuzoi kryetarin e Kuvendit për shkelje flagrante të rregullores që në ditën e parë të detyrës. Ai shprehu keqardhje që një nga funksionet më të larta shtetërore në Shqipëri po fillon me mosrespektimin e procedurave ligjore, duke theksuar se seanca plenare është thirrur në kundërshtim me afatet e përcaktuara në nenin 27 të rregullores së Kuvendit.
Gazment Bardhi: Dua të shpreh keqardhjen time si kryetar i Kuvendit të Shqipërisë e nismi me shkelje flagrante të rregullores së Kuvendit. Keni thirrur sot seancë plenare me një rend dite të njoftuar vetëm dje rreth orës 14, pra në më pak se 24 orë, ndërkohë që pika 3 e nenit 27/1, detyron që të thërrasësh seancë plenare dhe të lajmërosh rendin e ditës jo më vonë se dy ditë përpara dhe si rregull një javë përpara thirrjes së seancës plenare. Dhe të nisësh detyrën më të lartë shtetërore pas Presidentit të Republikës si kryetar i Kuvendit, në shkelje të rregullores së Kuvendit, në fakt, do të duhet t’ju turpëroj sepse jeni betuar për të respektuar Kushtetutën për të respektuar rregulloren.
Prandaj zoti kryetar, ju kërkoj t’u kërkoni ndjesë deputetëve për shkelje të rregullores, dhe në emër të grupit parlamentar të PD, ju kërkoj t’i qëndroni strikt detyrës tuaj si Kryetar i Kuvendit, të mos bëheni vartës i njërit apo tjetrit apo ti qëndroni atyre detyrimeve që ju përcakton rregullorja e Kuvendit.
© SYRI.net