Ish-deputeti demokrat Genc Pollo, i ftuar në Intervistën e Mësditës në Syri TV, denoncoi ashpër shpalljen e qeverisë së re si një akt që cënon thelbin e rendit kushtetues dhe përdhos institucionet
Ai kritikoi ashpër emërimin e figurës fiktive të ministres 'Diella' si pjesë të një loje propagandistike të kryeministrit Rama, duke theksuar nevojën për ankimin e këtij dekreti në Gjykatën Kushtetuese.
Pollo paralajmëroi se kjo është një shkelje serioze që cenon seriozitetin e shtetit dhe shpërqendron vëmendjen nga problemet reale të vendit.
Pjesë nga deklarata:
Është shumë e rëndë. Së pari, shpallja e një qeverie të re përbën objekt interesi, por ky interes këtë herë është shumë relativ. Për ironi, kujtoj që 15 vite më parë, Rama kritikonte Berishën, i cili, sipas tij, qeveriste me zëvendësministra pra me njerëz që i bindeshin, kishin status shumë më të ulët politik. Kjo ishte e vërtetë. Aty kishte shumë njerëz që debatonin jo pak në mbledhjet e Këshillit të Ministrave.
Ndërkohë, Rama me ministrat e tij ka një raport si të një titullari me vartës të nivelit të tretë, dhe askush nuk e beson që, nga profili politik i një ministri (nëse ka të tillë) apo nga personaliteti i tij, mund të ndikohet politika në ministrinë përkatëse. Ata janë thjesht sekretarë të përgjithshëm që marrin udhëzime nga kryeministri dhe kjo është një degradim jo i vogël i një qeverie normale.
Së dyti, është ajo që është debatuar dhe që përbën një karrem mediatik e propagandistik efektiv, që ka funksionuar ndërkombëtarisht, sepse edhe mediat ndërkombëtare nuk është se thellohen shumë në çfarë ndodh në Ballkan thjesht kapin lajmin. Për ne që njohim realitetin, kjo mund të jetë gazmore ose një budallallëk. Mund të jetë një mashtrim i radhës.
Në momentin që një personazh i tillë imagjinar, i sajuar nga mendja e kryeministrit dhe i përjetësuar nga propaganda e tij, figuron në mandatin kushtetues që ka Presidenti i Republikës për të emëruar kryeministrin për të thënë se "kryeministri është përgjegjës për krijimin e DIELLËS" atëherë kemi të bëjmë me një shkelje të rëndë. Mund të mos ketë pasoja në jetë njerëzish apo në vjedhje milionash euro, por është një ofendim i madh ndaj shtetit, i synuar nga Rama dhe personi që ai ka emëruar në presidencë, ndaj diçkaje që është e shenjtë për shumë prej nesh.
Shteti që ne ndërtojmë ka seriozitetin e vet në disa aspekte, dhe përdhosja e tij duhet refuzuar me çdo kusht.
Emërimi i “ministres Diella” në dekretin presidencial është një akt i rëndë përdhosjeje e traditës kushtetuese, i shtetit dhe i Republikës së Shqipërisë. Prandaj unë kam sugjeruar që opozita apo një palë tjetër ta studiojë dhe ta ankimojë këtë dekret nëse nuk gaboj, nenin 3 të tij në Gjykatën Kushtetuese. Mendoj që, të paktën nëse jo i gjithë dekreti, neni përkatës duhet të rrëzohet dhe të shfuqizohet nga kjo gjykatë.
Nuk ka nevojë të qartësohet më tej: efekti është të krijohet një çështje rreth së cilës të ketë tymnajë dhe të fokusohet vëmendja tek kjo çështje, e jo tek problemet reale të vendit. Kjo është një avantazh për partinë në pushtet dhe shefin e saj.
Nuk do të kisha dashur të komentoja idenë e tij, por nëse do të bëjmë tendera me inteligjencë artificiale, kjo është një mënyrë për të shprehur vjedhjen. Sepse nuk do të paditet më Beqaj apo X, Y – por do të paditet Mira Murati në Kaliforni, apo një instancë që nuk është person dhe që nuk mund të paditet në bazë të Kodit Penal.
Kemi arritur në një tragjikomedi që nuk mund të injorohet: kur personazhi “Diella”, ministre e inteligjencës artificiale, figuron në dekretin presidencial dhe mendoj se figuron edhe në propozimin që kryeministri i dërgon me shkrim në emër të PS-së domethënë, Begaj ka kopjuar shkresën e Ramës. Me gjasa kështu është. Problemi është që, kur presidenti i Republikës, që ka një detyrim strikt me rregullat e shtetit, shkruan një dekret ku thuhet se kemi apo do të krijojmë "ministren Diella", kjo tragjikomedi është e një shkalle që kërkon reagim dhe kundërshtim.
© SYRI.net