Diplomati Agim Nesho, në një intervistë për emisionin KAFE SHQETO në Syri TV, tha se deklarata e të dërguarës amerikane Nancy VanHorn është një sinjal i qartë politik për fundin e mbështetjes së pakushtëzuar ndaj Edi Ramës.
Diplomati shprehet se, mesazhi i SHBA tregon se Uashingtoni nuk do të bashkëpunojë me një qeveri të dalë nga manipulimi i zgjedhjeve apo e lidhur me krimin e organizuar. Ai theksoi se qëndrimi i VanHorn është një kritikë direkte ndaj Ramës dhe ndikimit të rrjeteve të Sorosit në kapjen e shtetit dhe drejtësisë në Shqipëri.
Sipas Neshos, është e qartë, SHBA kërkon një partneritet të bazuar te vullneti real politik për të luftuar krimin dhe korrupsionin, jo me qeveri që mbajnë pushtetin përmes aleancave të rrezikshme dhe ideologjive të huaja.
Pjesë nga deklarata:
Tre vëzhgime të nxjerra nga deklarata e të dërguarës nga Amerika, znj. Nancy VanHorn:
Së pari, ajo deklaron se “ne do të bashkëpunojmë”, por pa e specifikuar saktësisht se me kë. Dihet mirë që qeverinë e ka marrë Rama me 83 mandate pra, me atë qeveri që është në të njëjtën gjatësi vale me SHBA-në. Kjo nënkupton se ndajnë të njëjtin vullnet për të luftuar krimin e organizuar. Por, nga ana tjetër, ajo lë të kuptohet se një qeveri tjetër që mund të krijohet në të ardhmen ndoshta përmes manipulimit të zgjedhjeve apo presioneve politike – nuk do të përfaqësonte domosdoshmërisht vullnetin politik që SHBA-ja kërkon për të luftuar realisht krimin e organizuar.
Së dyti, një element shumë i rëndësishëm në deklaratën e znj. VanHorn ishte përmendja e domosdoshmërisë për të dalë jashtë retorikës dhe ideologjisë. Kjo mund të interpretohet si një kritikë e drejtpërdrejtë ndaj Edi Ramës dhe lidhjeve të tij me fondacionin Soros. Kjo sepse grupet anti-Soros në SHBA janë të motivuara kryesisht ideologjikisht. Në këtë kontekst, përmendja e ideologjisë si një pengesë për bashkëpunim nënkupton se mbështetja që Rama u ka dhënë elementëve të lidhur me formacionin Soros në Shqipëri është e papranueshme për administratën aktuale amerikane. Kjo është një goditje e qartë në mesazhin e saj.
Çfarë pritet të vijë pas kësaj?
Një këshillë miqësore për Ramën: në takimin e radhës, më mirë të lerë ‘Zeqine’ sesa të përpiqet të shpëtojë veten. Këmbanat po bien aq fort, sa nuk dihet sa i aftë do të jetë të mbijetojë politikisht. Kjo deklaratë është si një tërmet mbi 6 ballë që ka tronditur Ramën.
Ai e di mirë që mesazhi i dhënë nga znj. VanHorn nuk është si ato të mëparshme nga diplomatë të tjerë, si Yuri Kim. Kjo administratë është e fokusuar te funksionimi i drejtësisë, te precedentët dhe te pasojat që ka sjellë ndikimi i Sorosit në drejtësi, në vendet ku është përpjekur të mbështesë elementë të fondacionit të tij siç ndodhi në Gjeorgji dikur, në Shqipëri sot, dhe në përpjekjet e tij në Ukrainë për të kapur pushtetin.
Ky është një përfundim që ndoshta ka ardhur me vonesë për shqiptarët, të cilët prisnin me padurim një kthesë politike dhe një reflektim nga SHBA për situatën reale në vendin tonë. Ky moment ka ardhur.
Më mirë një ‘Zeqine’ që do ta dëgjojë Ramën nga bindja personale, sesa një Rama që ka vështirësi të shkëputet nga interesat e krimit të organizuar krim që ka marrë përmasa shqetësuese në Shqipëri. Mjafton të përmendim grupet kriminale të Elbasanit apo Durrësit, të cilët flitet se kanë akumuluar miliarda dollarë.
Amerikanët e kanë bërë tashmë detyrën e tyre. Tani duhet të provohet lidhja konkrete mes krimit të organizuar në Shqipëri dhe prekjes së interesave amerikane. Pikërisht këtë e kuptoi dje znj. VanHorn, kur tha se krimi i organizuar në Shqipëri është një platformë droge dhe pastrimi parash që mund të cënojë seriozisht edhe interesat e SHBA-së.
Mesazhi i saj ishte i qartë.
© SYRI.net