Sali Berisha, ka hedhur akuza të reja tronditëse mbi aferën Rama-McGonigal, duke përmendur për herë të parë mundësinë që ish-agjenti i FBI-së, Charles McGonigal, të ketë ndihmuar Altin Troplinin që të kalojë procesin e vetingut në këmbim të shuma të mëdha parash.
Në deklaratën e tij, Berisha tha se kjo çështje kërkon hetim urgjent dhe shtoi se ky mund të jetë një nga arsyet pse Troplini mban ende të fshehur në sirtar dosjen e McGonigalit.
Kreu i opozitës paralajmëroi se së shpejti do të bëhen publike elementë të tjerë të kësaj skeme, përfshirë lidhjet me agjentin rus Shestakov dhe ndikimin që McGonigal ka pasur në reformën e drejtësisë për llogari të qeverisë shqiptare.
Sipas Berishës, kjo është një organizatë kriminale ku pas McGonigalit, Edi Rama është personi i dytë më i rëndësishëm.
Pjesë nga deklarata:
Edi Rama, pas McGonigalit, është personi i dytë më kryesor në këtë organizatë kriminale.
Ky hetim ka dhe anë të tjera, Targetin 3, lidhjen me Shestakovin, agjentin e mirëfilltë të shërbimit sekret rus, të cilit McGonigal i thotë se kemi gjetur akses tek Edi Rama dhe qeveria e tij.
E rëndë, damkosëse është edhe mesazhi i McGonigalit që nga zyra e Edi Ramës informon personin që nuk i kanë thënë emrin se kryeministri shqiptar po bën reformën e drejtësisë dhe do kemi shumë punë tani.
Në fakt, janë të shumtë zërat që kërkon t’i shuajë Altin Troplini, të cilin dëshmojnë se McGonigal u përfshi direkt në vetingun, duke marrë shuma të mëdha.
A ishte Altin Troplini që e ndihmoi McGonigali të kalojë vetingun? Edhe kjo është çështje hetimi.
Është ky një akt shtesë që Altin Troplini mban në sirtar dosjen e McGonigalit?
Edhe kjo kërkon përgjigje.
Por Altin Troplini nuk mund t’i kalojë kurrë, nuk mund të flejë kurrë mbi këto dosje krimi, nuk mund të zhdukë këto dosje krimi.
Dhe unë u them ju, se në qoftë se ky raport i Inspektorit të Përgjithshëm për herë të parë bëri të ditur aspektin kinez të dosjes shqiptaro-amerikane të McGonigalit, aspekte të tjera janë në zbardhje e sipër.
© SYRI.net