Deputeti i zgjedhur i PD për qarkun e Shkodrës, Bardh Spahia, në një postim në Facebook ka reaguar për masakrën e ndodhur sot në Shkodër, duke e cilësuar një akt tronditës që nxjerr zbuluar sundimin e krimit në zemër të qytetit.
Spahia thekson se kjo ngjarje e rëndë ndodhi pikërisht në një ditë simbolike, kur fëmijët dhe prindërit duhej të festonin nisjen e vitit të ri shkollor, por në vend të gëzimit, Shkodra u përball me breshëri plumbash dhe dhunë ekstreme.
“Masakra e sotme është një kujtesë e ashpër dhe e dhimbshme se aty ku sundon krimi i bërë njësh me shtetin, nuk ka vend për dije dhe as për shpresë. Sot më pak nxënës u kthyen në bankat e shkollës, sepse Shkodra po shndërrohet në një qytet frike, ku jeta e njerëzve nuk ka më vlerë,” shkruan Spahia.
Ai bën apel se Shkodra nuk mund të vazhdojë të jetë peng i bandave dhe i pasigurisë, por duhet t’u kthehet qytetarëve dhe të rifitojë shpresën e humbur.
Postimi i plotë:
Masakra tjetër sot në Shkodër, kujtesë e ashpër dhe tronditëse e sundimit të krimit në Shkodër.
Një ngjarje e rëndë që lë pas frikë, dhimbje dhe pasiguri.
Në një ditë që duhej të ishte festë për fëmijët dhe prindërit, Shkodra u përball me dhunë ekstreme që nuk duhet të kishte vend kurrë në zemër të qytetit, në oborrin e bashkisë, pranë shkollave dhe familjeve të qytetit tonë.
Sot më pak nxënës u rikthyen në bankat e shkollës sepse aty ku sundon krimi i bërë një me shtetin, nuk ka vënd për dije dhe as shpresë.
Shkodra nuk mund të vazhdojë të sundohet dhe shtypet nga krimi. Shkodra duhet ti rikthehet qytetarëve dhe të rifitojë shpresën e humbur!
© SYRI.net