'Asnjë kallëzim për shkeljet elektronike në procesin zgjedhor’/ Cakaj: Standardi i votës u cenua, Celibashi duhej të vepronte

10:15, 08/09/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Anëtari i Komisionit Rregullator në KQZ, Muharrem Çakaj, në një lidhje Skype për emisionin ‘Kafe Shqeto’, tha se procesi i votimit dhe numërimit elektronik, ndonëse u implementua fillimisht me sukses në zgjedhjet e vitit 2021 në njësinë 10, ka treguar problematika serioze në vijim.

Ai theksoi se dështimi në bashkinë e Vorës gjatë zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit 2022 duhet të kishte shërbyer si sinjal alarmi, ndërsa analizat post-zgjedhore kanë provuar se standardi i votës është cenuar për shkak të shkeljeve nga operatorë dhe komisionerë.

Sipas Çakajt, kjo situatë bie ndesh me nenin 45 pika 4 të Kushtetutës, ku vota duhet të jetë e lirë dhe e fshehtë.

Ai u shpreh gjithashtu kundër zgjerimit të teknologjisë në zgjedhjet e vitit 2025, duke marrë si shembull rezultatin në bashkinë Kamëz mes zgjedhjeve me elektronikë në 2023 dhe atyre pa elektronikë në 2025, ku sipas tij besimi në proces është cenuar."

Deklarata e tij:

"Le ta nisim pak me procesin e votimit dhe numërimit elektronik.

Si fillim, unë kam qenë partizan për ta implementuar këtë proces. Në vlerësimin tim, u implementua fillimisht me sukses, përmendim zgjedhjet e vitit 2021 në njësinë 10.

Më pas, në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, u implementua pa sukses në bashkinë e Vorës, ku aty duhet të ishte sinjali i alarmit për të parë se çfarë ndodhi.

Në analizën post-zgjedhore, si për zgjedhjet e datës 6 mars 2022, ashtu edhe në zgjedhjet vendore të 2023, ku në vlerësimin tim u bë një maskim në votime, në analizën e vetë KQZ arriti se një rol kyç në cenimin e standardit zgjedhor kishin komisionerët ose operatorët që operonin pa IVN, qoftë edhe me një shikim të syrit të votuesit apo një fjali nën zë: "Shiko, se këtu dallohet vota."

Mjafton aq për të cenuar standardin e votës të parashikuar në nenin 45 pika 4 të Kushtetutës, ku vota nuk është më as e lirë dhe as e fshehtë. Dhe për këtë shkelje, zoti Celibashi duhet të bënte kallëzim penal përkatës.

Kjo sepse denoncime kishte si nga opozita, ashtu edhe nga vetë Celibashi, i cili ka bërë denoncime për këta operatorë që kanë shkelur procedurat. Rezultati? Zero!

Unë personalisht kam qenë kundër zgjerimit të teknologjisë në zgjedhjet e këtij viti. Mund të marrim si shembull bashkinë Kamëz, ku mjafton të shohim rezultatin e bashkisë Kamëz në 2023 dhe në 2025:

Kur ishin zgjedhje me elektronikë dhe kur ishin pa elektronikë.

Votimi dhe numërimi elektronik, më vjen keq, por është cenuar besimi në këtë proces – madje edhe në Amerikë".

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco