Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, në një postim në Facebook, ka përcjellë urime të përzemërta për nxënësit, mësuesit dhe prindërit në nisje të vitit të ri shkollor, duke theksuar se sidomos për vogëlushët që hedhin sot hapat e parë në bankat e shkollës kjo është një ditë e veçantë.
Por krahas urimit, Meta ka shprehur shqetësimin e madh për gjendjen e arsimit në Shqipëri, të cilin e cilëson si të braktisur, të nënfinancuar dhe pa kushtet më elementare.
Ai akuzon qeverinë për një axhendë të qëllimshme antikombëtare që synon shpopullimin, çka sipas tij reflektohet çdo ditë në pamjet dramatike të shkollave dhe bankave bosh.
Meta thekson se Shqipëria mund të ringrihet vetëm duke i dhënë përparësi arsimit, me një buxhet minimalisht 5% të PBB-së dhe me dyfishimin e pagave për mësuesit, ndërsa kujton se arsimi është një nga 5 prioritetet kombëtare për Partinë e Lirisë në misionin e saj për një Shqipëri me 4 milion shqiptarë plus.
Postimi i plotë:
Urime të përzemërta dhe shumë suksese nxënësve, mësuesve dhe prindërve në fillim të vitit të ri shkollor, sidomos vogëlushëve që sot hedhin hapat e parë në bankat e dijes.
Fatkeqësisht, arsimi vijon të mbetet i braktisur, i nënfinancuar, pa kushtet më elementare dhe i goditur nga një axhendë e qëllimshme antikombëtare e shpopullimit, që pasqyrohet çdo ditë në pamjet dramatike të shkollave dhe bankave bosh.
Shqipëria mund të ringrihet vetëm duke ringritur arsimin: me një buxhet minimalisht 5% të PBB dhe me dyfishimin e pagave për mësuesit tanë.
Për Partinë e Lirisë, arsimi është një nga 5 Prioritetet kombëtare për Shqipërinë me 4 milion shqiptarë plus!
© SYRI.net