SYRI TV/ KLP si shërbëtore e ekzekutivit, mbështet sulmet e Ramës ndaj gjyqtarëve e prokurorëve

15:49, 30/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Pas KLGJ-së, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, jo vetëm që nuk reagon ndaj sulmeve të kryeministrit Edi Rama ndaj prokurorëve, por shkon edhe më tej, duke dalë në të njëjtën linjë me shefin e qeverisë. Në një përgjigje për Syri TV, KLP shmang qëndrimin për sulmet e kryeministrit dhe shton se prokurorët që sulmon Rama do të procedohen disiplinarisht. Mosdënimi i kërcënimeve të kryeministrit nxjerr në pah dy standardet e këtij institucioni, pasi kur kritika ndaj prokurorëve vjen nga persona të tjerë, reagon ashpër, edhe pse mund të jenë në proces shqyrtimi.

Një ditë më parë, Këshilli i Lartë i Gjyqësorit bëri një reagim të sforcuar për sulmet dhe kërcënimet sistematike të kryeministrit Edi Rama ndaj gjyqtarëve, për vendimet që ai i cilëson si të padrejta. Në një kohë rekord, edhe kryeministri pati kundërpërgjigjen e tij, duke shpëtuar KLGJ-në nga kritikat për heshtjen e saj, por duke vijuar me kërcënimet ndaj gjyqtarëve që nuk i binden linjës së tij. Por jo vetëm KLGJ, edhe KLP duket se është i pafuqishëm ose i nënshtruar ndaj Edi Ramës, në sulmet që ai bën ndaj prokurorëve që veprojnë ndryshe nga linja e Partisë.

Syri TV iu drejtua me një kërkesë për informacion dhe për qëndrim të KLP-së lidhur me sulmet e kryeministrit ndaj prokurorëve, specifikisht ndaj prokurores së Shkodrës, Elsa Gjeli. Por përgjigja e Këshillit të Lartë të Prokurorisë tregoi edhe situatën e vështirë në të cilën ndodhen këto institucione, duke aluduar në diktatin politik të ekzekutivit.

Ndërkohë që KLP pyetej për sulmet publike të kryeministrit, përgjigja dukej se i bashkangjitej sulmeve të Ramës, si dhe anashkalonte se ky institucion nuk mund të komentonte çështje që mund të ishin në shqyrtim të tij.

Bazuar në normat ligjore, anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk mund të mbajnë qëndrim ose të komentojnë mbi një çështje konkrete që mund të jetë objekt i një procedimi disiplinor, që merret në shqyrtim pikërisht nga ky Këshill.

Por pse ky qëndrim i KLP-së nuk është korrekt? Ai duket si një shmangie nga përgjegjësia dhe një qëndrim në interes të kryeministrit Edi Rama.

Ky institucion, kur i konvenon pushtetit politik, ka mbajtur një tjetër standard. Ka pasur raste në të kaluarën kur figura politike apo publike, edhe pa pushtet, kanë kritikuar prokurorët dhe KLP ka reaguar ashpër ndaj deklaratave, duke i cilësuar si sulme dhe cenim të punës së tyre.

KLP ka reaguar disa herë pas kritikave të liderit të opozitës, Sali Berisha, ndaj prokurorëve të SPAK, për të cilët ka kërkuar gjithashtu procedim disiplinor.

Raste të ngjashme ka pasur edhe pas kritikave ndaj prokurorëve që nuk hetonin aferën e Inceneratorëve dhe 5 D, nga folësit në protestën para Bashkisë së Tiranës. Rasti më i fundit është reagimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë pas kritikave të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për prokurorin Ols Dado, ku KLP sërish kërkoi ndaljen e sulmeve ndaj prokurorit.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco