Gjinaj: Rama po përpiqet të marrë nën kontroll sistemin e drejtësisë, institucionet heshtin përballë sulmeve politike

13:42, 30/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

I ftuar në intervistën e ditës, gazetari Fatjon Gjinaj shprehet se situata aktuale mes institucioneve të drejtësisë dhe Kryeministrit Rama nuk mund të konsiderohet si një luftë mes palëve, por si një përpjekje të Ramës për të marrë nën kontroll tërësisht sistemin e drejtësisë.

Gjinaj thekson se kjo përpjekje është një paralajmërim për periudhat që do të vijnë, ku debate dhe polemika do të vazhdojnë të ndikojnë në fatin e këtij sistemi.

Ai thekson gjithashtu reagimet e vakta të institucioneve të drejtësisë, si KLGJ dhe KLP, duke i konsideruar ato si një "larje duarsh" për të shmangur përballjen me presionin politik dhe për të mbrojtur pushtetin ekzekutiv. Gjinaj shton se kjo situatë është më shumë një luftë të Ramës për të pasur në zotërim gjithçka, përfshirë edhe pushtetin e drejtësisë.

Pjesë nga deklarata:

Nuk e shoh si një luftë të gjyqësorit mes institucioneve të drejtësisë dhe Kryeministrit Rama. Ajo është një luftë e Ramës për të marrë nën zotërim tërësisht sistemin e drejtësisë dhe një paralajmërim për atë që mund të vijë në periudhat në vijim, mes debateve dhe polemikave për atë që do të ndodhë me sistemin e drejtësisë.

Do të ketë një përplasje mes dy palëve dhe unë nuk e shoh këtë si një luftë të drejtësisë, por si një luftë të Ramës që tregon dhe kërcënon. Rama, në reagimin e tij të djeshëm, mes rreshtave, theksoi se kjo nënkupton se ka në zotërim gjithçka për sa kohë është votuar, dhe madje nuk ka asnjë shqetësim për sistemin e drejtësisë apo për ndonjë pushtet tjetër. Ekzekutivi vendos për të gjithë pushtetet.

Këshilli i Lartë i Gjyqësorit (KLGJ) kishte një reagim të vakët, një reagim që, duke parë reagimin e menjëhershëm të Ramës, sikur e kishte parapërgatitur se çfarë do të thoshte dhe ku do ta targetonte. Ishte një reagim që duket si një "larje duarsh" për KLGJ-në, dy reagime që sikur kishin dalë nga e njëjta zyrë.

Nuk e shoh si një luftë mes Ramës dhe institucioneve të drejtësisë, por si një luftë të Ramës për të pasur në zotërim gjithçka, përfshirë edhe institucionet e drejtësisë. Nëse ndalemi tek këto të fundit, janë dy pushtete që drejtojnë dhe janë përgjegjës për të përcaktuar ligjin që nga reforma e sistemit të drejtësisë në vitin 2016, Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor. Njëri është përgjegjës për qeverisjen e gjyqësorit dhe tjetri për prokuroritë. Nëse tek KLGJ pati një reagim dje për të "larë duar", për të thënë se edhe ne reaguan, pa përmendur as emra dhe as pozicionin e personit që ka marrë sulmet ndaj gjyqtarëve, nga ana tjetër kemi KLP-në që nuk ka reaguar për rastin e shantazhimit dhe baltosjes së vazhdueshme të prokurorëve, siç është rasti konkret i prokurores së Shkodrës, një KLP që hesht publikisht.

"Syri TV" i ka adresuar, më 20 gusht, një kërkesë Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe kemi marrë një përgjigje që thotë: "Bazuar në ligj, anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë nuk mund të mbajnë qëndrim ose të reagojnë për çështje konkrete." Pra, është pyetur për Elsa Gjelin, e cila mund të bëhet objekt i një procedimi disiplinor, i cili shqyrtohet nga ky Këshill.

Pas sulmeve të Ramës ndaj kësaj prokuroreje, Ministria e Drejtësisë dhe Ulsi Manja i janë drejtuar Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë me një kërkesë për nisjen e hetimit disiplinor për vendimin që, sipas tyre, nuk kishte marrë masa për shpërblimin e përgjegjësisë për ndërtimet pa leje në Vlorë. KLP citon këtë ankesë dhe këtë kërkesë të Ministrisë së Drejtësisë për të thënë që ata janë një institucion në konflikt interesi, sepse çështja mund të përfundojë për zgjidhje tek ata...

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco