Kullotat e Çërravës do jepen për park fotovoltaik, debat dhe tensione në Këshillin Bashkiak të Pogradecit

10:54, 29/08/2025
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Pas debateve të gjata dhe tensioneve në sallë, Këshilli Bashkiak i Pogradecit zhvilloi mbledhjen ku në fokus ishte shqyrtimi i propozimit për dhënien me qira të kullotave të fshatit Çërravë, për ndërtimin e një parku me panele fotovoltaike.

Diskutimet mes këshilltarëve u shoqëruan me tone të larta, ndërsa në mbledhje ishin të pranishëm edhe banorë dhe përfaqësues të fshatit. Sipas Bashkisë, nisma synon të sjellë të ardhura për buxhetin vendor, pasi kullotat ekzistuese nuk ofrojnë cilësi të lartë për blegtorinë.

Nga ana tjetër, këshilltarë të pavarur dhe të partive të vogla kundërshtuan propozimin, duke e konsideruar tokën si burim jetese për banorët dhe theksuan se ndryshimi i statusit të saj bie ndesh me ligjin.

“Interesat e banorëve nuk duhet të injorohen,” deklaroi këshilltari i pavarur Arbër Male, ndërsa përfaqësuesi ligjor i komunitetit, avokati Gent Serjani, paralajmëroi ndjekje të rrugëve ligjore nëse miratohet vendimi.

Genci Beshello banor i fshatit deklaroi: “Ishim të pranishëm në mbledhje. Këshilli Bashkiak e shtyu vendimin për një tjetër takim dhe dëgjoi kërkesat tona. Ato janë kullota dhe duhet të mbeten kullota, sepse ne me ato rrojmë. Janë mbi 2.500 krerë bagëti të imta që kullosin aty, por kemi edhe ujin e pijshëm po në ato kullota,” u shpreh ai.

Edhe një qytetar i pranishëm në mbledhje, i cili është gjithashtu anëtar i Këshillit Bashkiak, tha:

“Ishte një konsultim publik ku u dëgjuan qytetarët së bashku me avokatin e tyre. Ky jo vetëm që është një vendim jomoral, por edhe jo legjitim. Kam qenë dhe do të jem kundër kësaj nisme që cenon interesat e banorëve. Kam shpresë se do të dalim në konkluzionin e duhur fakti që u tërhoq sot më jep këtë besim.”

Mbledhja përfundoi pa një vendim përfundimtar. Çështja pritet të shqyrtohet në një mbledhje tjetër, ndërkohë që jashtë ambienteve të këshillit një grup banorësh protestuan kundër planit për ndërtimin e parkut fotovoltaik në tokat që ata konsiderojnë jetike për komunitetin.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco