Kodi i ri Penal ka ndezur sërish debatet mbi kufizimin e lirisë së shprehjes në vend, sidomos përsa i përket ndikimit të tij te gazetarët dhe komentuesit publikë.
Drejtori i Komunikimit në Partinë Demokratike, Alfred Lela, në intervistën e dhënë në edicionin e lajmeve të pasdites në SYRI TV, e konsideron këtë si një përpjekje të vjetër të rikthyer në një formë të re, e cila synon të ndëshkojë fjalën e lirë nën pretekstin e mbrojtjes së dinjitetit të institucioneve të drejtësisë. Sipas tij, kjo nismë nuk është gjë tjetër veçse një mënyrë për të kontrolluar debatin publik, për të frikësuar zërat kritikë dhe për të vendosur një “shtet-rrethim” ndaj medias dhe shprehjes së lirë në vend.
Alfred Lela: Dua të them që është rikthimi i një sprove, një përpjekje e vjetër e Edi Ramës, e cila në fillim u quajt ‘paketa e shpifjes’, por u stërmundua debateve në Kuvend, organizatave ndërkombëtare dhe nuk kaloi. Kjo mua më duket një formë tjetër, një shpikje për të futur nga dritarja atë që nuk u fut dot nga dera dhe kjo është njëra nga përpjekjet për të liruar dhunën. Pra, për të bërë dhunë në fillim dhe pastaj për të shpikur një ligj dhunës.
Është sigurisht një përpjekje për të...se kur e dëgjon kështu, mendon që tani ne që shkruajmë dhe që komentojmë çfarë duhet të bëjmë? Të mos shkruajmë e mos komentojmë? Të rrimë? Pra, arena e debatit publik duhet të ulë automatin, duhet të fikë çelësin, se mos preket dinjiteti i gjyqtarit, i gjyqtarëve, i prokurorëve. Është pak, jo pak, por shumë ulëritëse si përpjekje për të vendosur në gjendje shtet-rrethimi kundër fjalës së lirë, apo për të vendosur lirinë e shprehjes në shtet-rrethim.
Kujtuam se kjo u la pas në ’90-’91. Kjo ishte beteja e madhe që u bë në ato vite të ngjizjes së lirisë dhe demokracisë në këtë vend, por gjithmonë rikthehet me kostum ndryshe por me të njëjtat qëllime.
Për të përdorur terminologjinë e vetë zotit Rama. Analizat e gazetarëve, të paktën një pjesë e tyre, duhet thënë jo e vogël, jo cilësore dhe jo e pazëshme. Janë të vetmit ‘qen’ që ai nuk ua mbyll dot gojën. ‘Qenve të qeverisë, ua ka mbyllur. ‘Qenve të drejtorive, ua ka mbyllur. Ju e patë në turin e shkarkimit të ‘qenve’ në turin e mbarë atdheut, sikur të ishte edhe kryebashkiaku i shqipërisë, përveçse kryeministri i Shqipërisë. Në shkelje të kartës së autonomisë vendore, në shkelje etike, në shkelje të ligjit. Por e bëri për të shkarkuar ‘qentë’ që vetë i ka ngarkuar.
© SYRI.net