Metamorfozat/ Përgjimet e SKY ECC nxjerrin fytyrën tjetër të Rilindjes

Metamorfozat/ Përgjimet e SKY ECC nxjerrin fytyrën tjetër të Rilindjes

20:07, 20/05/2024
A+ Aa A-

Dosja e dytë e hartuar nga përgjimet e SKY ECC që Lapsi.al e disponon është një sagë tjetër banditësh, e denjë për serialet e Amerikës Latine ku vazhdimisht ka intrigë për porositë e vrasjeve, që e kanë zanafillën tek konfliktet e kumarit, hakmarrjet e mbartura, trafiku i drogës, sherret e çastit apo ndonjëherë tek një keqkuptim siç është vrasja e Gjin Ndojit.

Aleancat funksionojnë sipas parimit “armiku i armikut tim është miku im” dhe grupe të fortësh nga Tirana bashkohen me të Vlorës, të Laçit lidhin kontrata me të Shkodrës, për t’u bashkuar në Durrës dhe për t’u ndarë sërish në Fushë-Krujë.

Nga bisedat e zbardhura të SKY në dosjen e lexuar nga Lapsi.al zbulohet një ndërmarrje kolosale e ish-deputetit të Partisë Socialiste, Arben Ndoka që kërkon të vrasë me patjetër Durim Bamin, njeriun që e akuzon për vrasjen e të vëllait, Aleksandër Ndoka. Aty gjenden bisedat e Ervis Martinajt, në një përpjekje për t’u sqaruar me ish-ortakun e tij në kumar Leonard Duka. Janë bisedat e Emiljano Shullazi që angazhohet nga burgu të gjejë vrasësit e Durim Bamit. Janë vëllezërit e deputetëve të Partisë Socialiste, Armando Ndreca dhe Xhelal Rrja, që përdorin SKY ECC herë për drogë e herë për të ndihmuar në një vrasje, apo shefa policie që u binden kokave të krimit si ushtarë të rëndomtë.

Por ajo që bie në sy mes emrave është që grupet kriminale të dosjeve “Metamorfoza” 1 dhe 2 janë shpesh të lidhur me pushtetin dhe marrin favore apo kanë një familjar të tyre në nivele të caktuara të qeverisjes. I marrim me radhë:

Ish-deputeti i PS, Arben Ndoka në Lezhë

Image

Ish-deputet i Partisë Socialiste në Lezhë Arben Ndoka nuk arriti ta çojë deri në fund mandatin e deputetit, kur u përfshi në një sherr në parlament me ish-deputetin e PD, Gent Strazimiri. Shkak i konfliktit u bë denoncimi që ai kishte qenë i akuzuar për shfrytëzim prostitucioni në Itali. Ndoka dorëzoi mandatin e deputetit dhe më vonë u arrestua nga policia për çështjen e pronave në bregdetin e Lezhës gjatë aksionit “Volvo-4”. Në dhjetor 2017, vritet Aleksandër Ndoka vëllai i deputetit dhe që nga ajo kohë ish-deputeti u përfshi në një kërkim të ethshëm të porositësit të vrasjes së tij, gjë që e çoi në bashkëpunim me grupet më të rrezikshme kriminale në vend.

Ndihmësi i Vangjush Dakos në Durrës, Astrit Avdyli

Image

Atrit Avdyli është i njohur për komunikimin intensiv që kishte me Vangjush Dakon gjatë fushatës së zgjedhjeve të vitit 2017, për të të bërë presion mbi votuesit në Durrës dhe për të ndihmuar PS. Në bisedat me Vangjush Dakon, kuptohej që grupi i Avdylajve me ndikim në Shijak ishin angazhuar për të mbledhur vota për PS, por kërkonin edhe të impononin kandidatët e tyre në Shijak e më tej. Në përgjimet e publikuara nga media gjermane ‘Bild’, dëgjoheshin edhe emrat e ish-kryebashkiakut të Durrësit Dako, deputetit të PS-së, Jurgis Çyrbja, kryebashkiakut të Shijakut Ardian Kokomani e kandidatëve për deputet e kryebashkiak, Ilir Ndraxhi e Elton Arbana që komunikonin me grupin Avdylaj.

Pëgjimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda po kryheshin për laboratorin e heroinës në Has, por nga përgjimet e SKY ECC kuptohet se shijakasi ofronte edhe shërbimin e vrasjeve me pagesë nëpërmjet nipit të tij Aldo Avdyli dhe shokut të tij Arben Mërkuri.

Emiljano Shullazi, i forti që ndihmoi PS në fushatën e 2013 në Tiranë

Image

Gjatë viteve kur Saimir Tahiri ishte Ministër i Brendshëm, Emiljano Shullazi ishte një ndër njerëzit e paprekshëm nga policia. Socialistët e kishin pasur me vete gjatë fushatës së vitit 2013 dhe në Tiranë ai bashkë me njerëzit e tij kishin punuar për të sjellë në pushtet Rilindjen.

Shullazi u përmend disa herë nga ambasadorët amerikanë për lidhjet që kishte në nivelet e larta të policisë. Gjatë një bisede në Opinion, ish zv/drejtori i policisë së Tiranës, Erzen Breçani kujtoi një ngjarje qe ka ndodhur ditën e zgjedhjeve, në datën 23 qershor, të 2013.

“Atë ditë në darkë (23 Qershor 2013) kam lëviz duke kontrolluar shërbimet, se ishte një gjendje jo e mirë. Dhe është e vërtetë. E kam parë para njësisë bashkiake numër 6, Saimir Tahirin dhe Emiljano Shullazin. Sa u afrova unë, u larguan. Ishin para njësisë bashkiake numër 6, ishin bashkë. Saimir Tahiri ishte me kryetarin e njësisë nr.6, ky ishte aty afër”, deklaroi Breçani.

Pas përfshirjes në vrasje dhe gjobëvënie, Emiljano Shullazi u arrestua dhe aktualisht është në burg. Por siç dëshmojnë përgjimet e SKY ECC ai u përfshi intensivisht në gjetjen e vrasësve për Durim Bamin, siç i kërkonte Arben Ndoka.

Armando Ndreca, vëllai i deputetit të Partisë Socialiste Eduart Ndreca në Lezhë

Image

Armando Ndreca është vëllai i deputetit të PS, Eduard Ndreca. Ai është arrestuar bashkë me djalin e xhxhait, Elvisi Ndreca për kultivimin dhe trafikimin e kanabisit.

Armando Ndreca u arrestua edhe më 10 mars, me dyshimin se ishte i përfshirë në kultivimin e bimëve narkotike, pas zbulimit të një stani të kthyer në shtëpi bari në një fshat të Lezhës. Por Ndreca u lirua nga gjykata pasi nuk kishte prova që vërtetonin implikimin e tij në kultivimin e drogës, ku u arrestuan 2 persona.

Tashmë me zbardhjen e SKY ECC është konfirmuar përfshirja e vëllait të deputetit socialist në kultivim të kanabisit.

Madje dy zyrtarët e policisë kanë bashkëpunuar me vëllain dhe kushëririn e deputet Eduard Ndreca, Armando dhe Elvis Ndreca, duke i favorizuar në kultivimin e bimëve narkotike në zonën e Kashnjetit, sipas dosjes që ka lexuar Lapsi.al

Xhelal Rraja, vëllai i ish-deputetit të PS, Rrahman Rraja në Fushë-Krujë

Image

Xhelal Rraja është vëllai i ish-deputetit të Partisë Socialiste Rrahman Rraja. Ai përmendet në përgjimet e dosjes Metamorfoza si përdorues i një telefoni SKY me pseudonimin H2. Xhelal Rraja akuzohet se ka marrë pjesë në organizimin e një atentati ndaj Arben Ndokës, së bashku me Durim Bamin dhe Indrit Doklen.

Së fundmi, Xhelal Rraja u përfshi në rrahjen masive që ndodhi në Thumanë ndaj dy kushërinjve, Jashar dhe Bilbil Maja, ngjarje pas së cilës vëllai i tij deputet dha dorëheqjen. Xhelal Rraja u shpall në kërkim atëherë nga policia po nuk u arrestua asnjëherë.

Pëllumb Gjoka, investitori strategjik nga “Metamorfoza 1” në Velipojë

Image

Në grupin e parë të të arrestuarve nga përgjimet e SKY ECC, prokuroria speciale urdhëroi arrestimin e Pëllumb Gjokës, që kishte porositur një vrasje në Tiranë, por që ishte shpallur edhe investitor strategjik nga qeveria Rama. Opozita e kishte akuzuar atë si një person të përfshirë në blerje votash në favor të Partisë Socialiste. I angazhuar më parë në lojërat e fatit, në korrik të vitit 2021 kompanisë së tij Imperial Group, iu dha statusi i investitorit strategjik për ndërtimin e një resorti turistik në Velipojë, me një vlerë prej 52 milion eurosh. Investim i cili nuk nisi asnjëherë.

Antarë të grupit të Bajrave që ndihmuan PS në zgjedhjet e 14 Majit në Shkodër

Image

Një nga grupet më të goditur nga përgjimet e SKY ECC janë Bajrat e Shkodrës. Ata qenë të përfshirë në disa vrasje, mes të cilave ajo që është zbardhur plotësisht është eleminimi i Gjin Ndojit si porosi e Ervis Martinit. Bajrat bashkëpunonin ngushtë me Pëllumb Gjokën, por në zgjedhjet e 14 Majit u zbulua angazhimi i tyre në ndihmë të Partisë Socialiste. Një prej njerëzve më me ndikim të grupit, Behar Brajoviq del edhe në grupin e dytë të përgjimeve kur flitet për vrasjet e porositura mes bandave.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco