Gjekmarkaj: Arrestimi i Berishës nuk është çeshtje e drejtësisë, kur ndalet themeluesi i pluralizmit kërkohet asgjesimi i pluralizmit dhe lirisë

16:32, 07/05/2024
A+ Aa A-

Nënkryetari i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj në takimin me demokratët në Bulqizë tregoi se Partia Demokratike ka kaluar periudha të vështira, por, sipas tij, sot janë më të fortë dhe më të bashkuar për t’i bërë ballë regjimit të Ramës dhe për ta rrëzuar atë.

"PD është shfaqur në skenën e historisë si një parti që e ndryshon atë dhe e ka bërë disa herë duke e ndryshuar fatin e vendit në vitin vitin 1992 apo në vitin 2005.

Po ashtu edhe historia nuk e ka kursyer atë, i është kundërvenë me atavizmat e veta me shumë dhunë si në vitin 1997.

Ajo ka mbijetuar falë qëndresës së një pakice heroike e cila është zgjeruar në bashkëbisedim me shoqërinë ditë pas dite. PD e ndjek hap pas hapi shoqërinë  duke u bërë zëdhënëse e dinamikave të saj ajo nuk pretendon që shoqëria të vijë qorrazi pas nesh.

Po kaq ne kemi qenë nën agresion dhe sulm nga shumë faktorë në këtë periudhe, në këtë ecje në shkretëtirë, për të na zhbërë e asgjesuar!

Kjo ka ndodhur se tek PD kanë parë frikën për rrëzimin e tyre. PD e tejkaloi këtë dramë, u bashkua, kemi marrë goditje e plage i tejkaluam dhe secili ndihet krenar dhe sot e do e çmon më shumë PD-në si vatrën tonë të përbashkët, strehën e shpresave të mëdha.

Sot kemi një problem themelor, Kryetari i PD Sali Berisha është arrestuar. Nëse në fillim kishim ndonjë iluzion se ky është një problem vetëm i sistemit të drejtësisë sot jemi të qartë që ky është një problem madhor i ndërgjegjes shoqërore, sepse kur ndalet  themeluesi i pluralizmit kërkohet asgjesimi i pluralizmit dhe lirisë, shoqëria shqiptare nuk duhet të bishtnojë duhet ta zgjidhë këtë ngerç në subkoshiencën e vet.

Të dashur demokratë, ne nuk duhet ta humbasim krenarinë se çfare kemi qenë çfarë jemi e çfare duam t’i ofrojmë Shqipërisë!

Shumë ka arrit Shqipëria me PD në pushtet, lirinë, shtetin e së drejtës, integrimin, NATO-n, lëvizjen pa viza, infrastrukturën moderne! Ne duhet të flasim me njërzit! PD po bën denoncime të forta dhe bën detyrën e saj, por PD ka kapacitet shumë më tepër sesa denoncimet, ajo po përgatit ofertën e saj për Shqipërinë, për transformime ekonomike për rrroga e pensione, më të larta, për luftë pakompromis ndaj korrupsionit, për përmbylljen e procesit të integrimit që ne nisëm, për arsim e shëndetësi dinjitoze për kthim të shqiptarëve në Shqipëri.

Në Bulqizë jetohet mbi pasuri mbi ar dhe minerale, por Bulqiza është e varfër dhe këtu duhet të kërkojmë falje të gjithë se falja na bën më të mirë dhe na ndihmon të jëmi më të vërtetë me qytetarët.

Sot dëgjuam  për dy orë Kryeministrin, i cili foli sikur ka 11 vjet në opozitë dhe po premton që si rishtar do ndreqë gjërat e këqija që ka bërë një qeveri tjetër jo ajo e atij. Teza e tij ishte drejtësia si fabul elektorale. Dikur në sensin më pozitiv na u tha që reforma në drejtësi u mbështet , pat si kumbarë faktorin ndërkombëtar! Rama tha sot e bëra unë! Natyrish ky spektakel e argëton, nuk i dhemb se leshon ca ministra dhe ca drejtorë pa mbajtur përgjegjësi morale ndërkohë qindra të tjerë vjedhin të patrazuar dhe ushqejnë sistemin që korrupton votën e lirë dhe jetën publike.

Shikoni kudo skandale në bashki, në ministri në qeveri, paraja publike që vidhet , paaftësi që na dhurohet, korrupsion që ndyn gjithçka.

Kjo shoqëri duhet të bëjë një zgjedhje, o ta luftojë korrupsionin dhe të bëhet shoqëri e lirë europiane e demokratike, ose t’i nënshtrohet atij dhe të humbë perspektivën. Kjo qeveri do bëjë gjithçka që të mbetet e padryshuar gjendja. ëahtë detyra jonë e shenjtë të bëjmë ndryshimin, ku pas bashkimit të hapim PD, të flasim me njerëzit, të nxisim më të mirët intelektualët, profesionistët , njerëzit e zakonshëm t’i bashkohen politikës, t’i japin Shqipërisë fitoren që pret duke vënë në provë PD-në, duke i dhënë asaj besim duke e mbështetur në këtë betejë sa historike aq edhe kundër tentakulave të historisë!",- u shpreh nënkryetari i PD nga Bulqiza.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Komentet

Shto koment

Denonco